Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri në tetëmujorin janar-gusht 2022 është 5.667.121, duke shënuar rritje me 29.3%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021, kur vendin tonë e vizituan 4.3 milionë shtetas të huaj.

INSTAT publikoi sot raportin mbi lëvizjen e shtetasve, sipas të cilit përgjatë tetë muajve të 2022-shit, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 4.1 herë dhe Greqia me 2.1 herë, ndërsa Maqedonia e Veriut ka pasur rritjen më të ulët me 6.2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Vetëm gjatë muajit gusht, referuar të dhënave të INSTAT-it, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, janë 2.447.981. Ky tregues rezulton me një rritje 12 %, krahasuar me gushtin e 2021-shit.

Në gusht të këtij viti, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.710.041. Ky numër është rritur me 11.2 %, krahasuar me gushtin e 2021-shit.

Numri i shtetasve që kanë hyrë nga pikat ajrore është rritur me 91.2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga pikat detare është rritur me 46.6 % dhe nga pikat kufitare tokësore është rritur me 22.3 %.