sh-kapiteni i Kombëtares shqiptare të futbollit, Altin Lala, është i bindur se kuqezinjtë do t’ia arrijnë të triumfojnë ndaj Bjellorusisë të mërkurën për t’u renditur të parët në Grupin 4 të Ligës C në UEFA Nations League. Në një mesazh të posaçëm për FSHF, ish-futbollisti legjendar i kuqezinjve vlerëson paraqitjen e përfaqësueses ndaj Kazakistanit dhe thekson se fitorja ishte e merituar.

“Ndeshja me Kazakistanin ishte një ndeshje jashtëzakonisht e mirë, për vetë faktin që edhe skuadra kishte një farë presioni për ta fituar këtë sfidë, por dhe ndeshjen e ardhshme ndaj Bjellorusisë, që është dueli më i rëndësishëm i këtij grupi, për të zënë vendin e parë në renditje. Ndeshja ishte shumë e fortë, me shumë duele, mendoj që djemtë u paraqitën mjaft mirë sidomos në pjesën e parë, ku shënuan edhe dy gola. Pjesa e dytë natyrisht ishte po ashtu e vështirë, me shumë dyluftime, e kontrolluam sërish lojën dhe mendoj se ishte një fitore e merituar”, – tha Lala.

Duke u ndalur më tej te finalja e grupit me Bjellorusinë që luhet të mërkurën në Tiranë, ish-kapiteni ka një këshillë për kuqezinjtë, teksa beson te kualitetet e skuadrës së drejtuar nga trajneri Reja.

“Sigurisht ndeshja me Bjellorusinë është vendimtare. Edhe bjellorusët luajnë pak a shumë ngjashëm me ne, si Kazakistani, ndaj shpresoj që djemtë të jenë të frymëzuar, aq më tepër dhe shumë të motivuar për të zënë vendin e parë në grup dhe uroj që ndeshjen ta fitojmë. Duhet të futemi me seriozitet në këtë sfidë dhe mendoj që nëse çdo lojtar jep maksimumin e vet, unë jam i bindur që ne kemi kualitetet e duhura për ta fituar edhe këtë ndeshje”, – shprehet Altin Lala për FSHF.