Në konferencën për mediet, Maran shpjegoi se Balliu ka pasur prej kohësh shqetësime fizike, ndaj ka vendosur të mos bashkohet me Kombëtaren për këtë grumbullim.
“Sa i përket Ivan Balliut, ka qenë një zgjedhje e tij. Prej kohësh ai ka një bezdisje, një tip dëmtimi dhe do të ishte e vështirë për t’u përqendruar te puna e tij me klubin, kështu që është vendimi i tij për t’u larguar nga Kombëtarja”, u shpreh Maran.
Trajneri bëri të ditur se edhe portieri Thomas Strakosha nuk do të jetë në dispozicion, pasi nuk është ende në gjendjen e tij optimale dhe aktualisht është i fokusuar te rikuperimi.
Një nga risitë e listës është Ysni Ismaili, futbollisti i Dinamos, i cili merr për herë të parë ftesë nga Kombëtarja shqiptare.
Maran tha se përzgjedhja është bazuar te forma aktuale e lojtarëve dhe minutat e aktivizimit në klubet përkatëse, duke theksuar se dy ndeshjet e ardhshme kërkojnë futbollistë në gjendje optimale fizike.
“Jam bazuar shumë edhe te forma e lojtarëve që po luajnë aktualisht dhe minutazhi që kanë, duke qenë se këto dy ndeshje kanë nevojë që lojtarët të jenë në gjendjen optimale, për të dhënë më shumë shpejtësi dhe për të ndihmuar skuadrën”, deklaroi trajneri.
Ai u ndal edhe te statistikat e Shqipërisë në Ligën C, duke theksuar se skuadra kryeson për pritshmëritë e golave, renditet ndër ekipet me më pak gola të pësuar dhe ka regjistruar numrin më të lartë të gjuajtjeve në portë.
Sipas tij, ekipi duhet të jetë më konkret në shfrytëzimin e rasteve të krijuara.
Objektivi i kuqezinjve, sipas Maranit, është përfundimi i grupit në vendin e parë.
“Presioni është i atij lloji pozitiv, i cili të nxit të bësh mirë dhe të luash mirë, për të arritur objektivin tonë që të jemi në krye të grupit, sepse i kemi mundësitë”, u shpreh ai.
I pyetur për sulmuesin Indrit Tuci, Maran tha se është një lojtar që e ndjek dhe e vlerëson, duke shtuar se do të ketë mundësi të rikthehet në Kombëtare nëse vijon me formën e mirë.
Sa u përket futbollistëve që aktivizohen në kampionatet aziatike, mes tyre edhe Jasir Asani, trajneri tha se janë në vëmendjen e stafit, por për këtë grumbullim ka preferuar të ruajë vazhdimësinë me lojtarët që kanë marrë pjesë në ndeshjet e mëparshme.
Maran u pyet edhe për konkurrencën me Kosovën për përfaqësimin e talenteve të rinj. Ai theksoi se lojtarët që zgjedhin Shqipërinë e bëjnë këtë me krenarinë për të përfaqësuar fanellën kuqezi.
Grumbullimi zyrtar i Kombëtares nis të hënën, në përgatitje për dy sfidat e fundit të grupit. Shqipëria do të përballet me Finlandën më 12 nëntor, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”, ndërsa më 15 nëntor do të luajë ndaj Bjellorusisë në stadiumin “Illovszky Rudolf” në Budapest të Hungarisë.
Shqipëria kryeson aktualisht Grupin C1 me 9 pikë, e ndjekur nga Bjellorusia dhe Finlanda me nga 7 pikë secila.
/gj.m/r.e/



























