ATSH/ Portieri i Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, ishte një nga protagonistët e konferencës për shtyp të zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit”, në prag të dy ndeshjeve të fundit të Shqipërisë në Ligën e Kombeve, ndaj Finlandës më 12 nëntor dhe Bjellorusisë më 15 nëntor.
Gardiani kuqezi foli për gjendjen e skuadrës, përballjen e mëparshme me Finlandën, objektivin për të siguruar vendin e parë në grup, si dhe rëndësinë e mbështetjes së tifozëve në këto dy sfida vendimtare.
I pyetur nëse ndeshja me Finlandën shihet si një mundësi për revansh, Berisha theksoi se skuadra duhet të përqendrohet te objektivat e saj dhe jo te ajo që ka ndodhur në të kaluarën.
“Po, nuk do ta marr si revansh. Secila ndeshje e ka historikun e vet. Duhet të fokusohemi te ekipi që kemi. Dua t’i ftoj të gjithë tifozët të na përkrahin. Do të jetë porta e hapur për të gjithë. E rëndësishme është t’i kemi tifozët afër. Të shkojmë përpara dhe të kemi vendin e parë”, u shpreh Berisha.
Duke kujtuar përballjen e mëparshme me Finlandën, portieri pranoi se pësimi i golit ndikoi në rrjedhën e lojës, por nënvizoi se ajo ndeshje tashmë është lënë pas.
“Gjërat që kanë ndodhur nuk mund të kthehen prapa. Ishte një moment ku ndryshoi edhe rrjedha e lojës. Pranimi i golit e bëri më të vështirë gjithçka. E kemi kaluar atë moment. Gjithçka e kemi në dorën tonë. Ekipi do të paraqitet mirë, sepse dëshira është e madhe”, deklaroi ai.
Sa i përket cilësive të Shqipërisë në raport me kundërshtarin, Berisha vlerësoi se Kombëtarja ka futbollistë me më shumë kualitet dhe eksperiencë, por paralajmëroi se Finlanda nuk duhet nënvlerësuar.
“Kemi lojtarë më kualitativë dhe me eksperiencë. Nuk duhet nënvlerësuar Finlanda. E kemi parë edhe në ndeshjen e fundit, kemi marrë një mësim shumë të mirë. Nuk duhet nënvlerësuar asnjë kundërshtar. Prapëseprapë luajmë në shtëpi dhe dëshira është të dalim sa më mirë”, theksoi portieri.
Berisha u pyet edhe për filozofinë e lojës së trajnerit dhe episodin e diskutuar me portierin Elia Caprile. Ai sqaroi se në atë moment kishte ndryshuar vendimin në çastin e fundit, ndërsa theksoi se nuk pati kontakt me lojtarin.
“Nuk kam informacion për të dytën. Sa i përket atij momenti, ishte ndryshimi i mendjes në momentin e fundit, kur erdhi pasimi. Desha të vazhdoj, por e ndryshova në momentin e fundit. Mirëpo, në momentin e fundit nuk kam bërë kontakt. Lojtari dinte ta shfrytëzonte momentin”, u shpreh Berisha.
Në lidhje me mënyrën e lojës së Kombëtares, ai vlerësoi qarkullimin e topit dhe ndërtimin e aksioneve nga prapavija, duke nënvizuar se skuadra duhet të vijojë në këtë drejtim.
“Kemi krijuar shumë raste nga prapavija, nga qarkullimi i topit. Kemi dalë përpara dhe duhet të vazhdojmë me këtë. Gabimet mund të ndodhin. Besoj se kjo i ka dhënë shumë vetëbesim skuadrës. Nuk duhet të merret si gjë e madhe apo të ndryshohet”, përfundoi portieri kuqezi.
/gj.m/j.p/



























