Ish-kryeministri italian, Matteo Renzi e zhyti në krizë qeverinë aktuale të fqinjit tonë përtej Adriatikut, me vendimin për të tërhequr partinë e tij të qendrës nga koalicioni qeverisës, duke e zhytur sërish vendin në kaos politik, pikërisht në kohën kur përballet me emergjencën e koronavirusit.
“Kjo është një konference shtypi që Italia Viva ka organizuar për të njoftuar për të bërë një vlerësim të situatës politike në vend dhe për të njoftuar dorëheqjen e ministreve Teresa Bellanova dhe Elena Bonetti. Për këtë njoftuam përmes një letre edhe kreun e ekzekutivit. Megjithatë, ne jemi të gatshëm për diskutime”, tha Renzi.
Kjo e lë qeverinë e Giuseppse Conte-s pa një mazhorancë në parlament dhe në buzë të kolapsit. Mbështetja e partisë së Renzit është kritike për mbijetesën e koalicionit të drejtuar nga lëvizja antiestablishment Pesë yjet dhe Partia Demokratike e Qendrës së Majtë. Më herët gjatë ditës, Conte pati thënë se shpresonte që Renzi të mos e bënte një lëvizje të tillë, duke paralajmëruar se vendi nuk do ta kuptonte dot shembjen e qeverisë në mesin e një krize madhore shëndetësore.
Italia nuk është e pamësuar me tërmete politike, tensione e skandale. Shumicat e lëkundura në Roma kanë drejtuar më shumë se 60 qeveri që prej Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, përplasja e fundit politike vjen në një moment të dhimbshëm për Italinë, një prej vendeve me nivelin më të lartë të infektimeve dhe vdekjeve nga Covid-19 në Evropë.
Top Channel