Nga LIRA GJIKA

“Kë do ti më shumë mamin apo babin? Apo do nënën, se ajo të ka rritur” Kjo shprehje e tmerrshme, që përdoret nga të gjithë, madje është bërë edhe reklamë, vetëm e gjymton fëmijën. Prindër, mos ia bëni këtë pyetje fëmijës dhe mos lejoni të tjerët, t’a bëjnë këtë pyetje fëmijës tuaj. Fëmija është i vogël e janë të rrituar që duhet ta duan, madje e kanë për detyrë. Ajo, që është më dramatike tek i rrituri, qëndron te fakti që është i pavetëdijshëm për pyetjen.

Kur i pyet të rriturit, se çfarë qëllimi ka kjo pyetje? Ai, i rrituri, ngre supet dhe thotë shprehjen, e pakuptimtë, “Ja, ashtu kot”. Fëmija i vogël ende nuk i di fjalët, nuk u di kuptimin dhe kur i bëhet një pyetje, ajo vetëm e shqetëson. E para nuk e kupton, e dyta, ai fëmija e di, që duhet ta duan, mami, babi, gjysherit, që ai duke u rritur të sillet si ata, po kur të rritet, jo tani që është i vogël. Njerëzorja, të nderuar të rritur, nuk është gjë e lindur, ajo mësohet dhe zhvillohet nëpërmjet edukimit dhe sigurisë.

Kjo pyetje, shkatërron këto dy elementë, besimin te të rriturit dhe për pasojë edhe edukimin, si njeri i përgjegjshëm e qytetar. Kjo pyetje, e vendos fëmijën në dilemën e rëndë të zgjedhjes. Dhe për fat, fëmija nuk ka ende mekanizma as për të kuptuar se çfar i pyetet dhe as për tu përgjigjur. Edhe një gjë, kujtoni veten kur duhet të zgjidhni, sa të vështirë e keni. Atëherë, si i kërkoni fëmijës të bëjë një gjë, që edhe për ju të rritur, është e vështirë?