Këshilli Global për Tolerancë dhe Paqe ka dhuruar për SHqipërinë 10 mijë maska kirurgjikale, të cilat do t’u vijnë në ndihmë heronjve që janë në vijën e parë të luftës në betejën me COVID-19, bluzave të bardha.
Në një letër falenderimi, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi shkruan se ky gjest është shumë domethënës për të gjithë vendin, aq më tepër kur vjen në një kohë kur të gjitha vendet po përballen me këtë armik ta pamëshirshëm.
Letra e plotë
“Ju falenderoj nga zemra për letrën Tuaj të datës 15 prill, në të cilën shprehni simpatinë e thellë, solidaritetin e sinqertë,mbështetjen për mjekët në vijën e parë të betejës si edhe ngushëllimet për humbjen e jetëve njerëzore prej koronavirusit, në këto kohë të vështira, kur popujt e të gjithë planetit janë përfshirë nëluftën për mbrojtjen e jetëve njerëzore prej pandemisë së COVID-19. Qeveria dhe institucionet e Shqipërisëkanë marrë dhe po zbatojnë masa të rrepta për parandalimin e përhapjes së koronavirusit dhe shpëtimin e jetëve njerëzore dhe, si rezultat i këtyre masave dhe i mbështetjes e solidaritetit të qytetarëve shqiptarë, humbjet e jetëve njerëzore kanë qenë të pakta, por ekonomia e vendit, ashtu si edhe ekonomia e vendeve të tjera, është goditur rëndë.
Kuvendi, Qeveria dhe institucionet e Shqipërisë nuk e kanë ndërprerë asnjë çast funksionimin dhe veprimtarinë e tyre në shërbim të qytetarëve, mbrojtjes së jetëve të tyre dhe rigjallërimin e ekonomisë. Komisionet parlamentare të Kuvendit kanë vazhduar të funksionojnë rregullisht online, ndërsa seancat plenare po zhvillohen me pjesëmarrjen e të gjithë deputëtëve, duke zbatuar standartet e distancimit social dhe masat e tjera mbrojtëse. Ne, shqiptarët, ndjekim me vëmendje betejën e mjekëve, qeverive, institucioneve dhe popujve kundër këtij rreziku dhe gëzohemi për mbrojtjen e shpëtimin e çdo jete njerëzore. Letra Juaj dëshmon se në luftën kundër COVID-19 asnjë vend nuk është i vetëm, por ka mbështetjen e solidaritetin e gjithë njerëzimit. Të gjithë dëshirojmë me gjithë shpirt që e keqja të ndalet sa më shpejt dhe të gjithë popujt e botës t’u kthehen jetës normale dhe gëzimeve të saj.
Unë e vlerësoj si një mbështetje të madhe në luftën kundër koronavirusit ngritjen e Task Forcës së Këshillit Global për Tolerancë dhe Paqe, për të mbështetur zbatimin e masave mbrojtëse prej pandemisë,në vendet e prekura si edhe në kontekstin global. Shpreh mirënjohjen e thellë të Kuvendit të Shqipërisë dhe timen personale për dhurimin prëj Këshillit Global për Tolerancë dhe Paqe të 10 mijë maskave kirurgjikale, të cilat janë një mbështetje e madhe për mjekët, infermierët dhe profesionistët e mjekësisë që janë në vijën e parë të betejës kundër koronavirusit. Populli shqiptar nuk do ta harrojë kurrë këtë ndihmë.”
B.K./Shqiptarja.com