“Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me qeverinë shqiptare për të siguruar që Shqipëria të ketë energjinë e nevojshme elektrike në këtë kohë të rëndësishme”, deklaroi sot ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim gjatë një vizite në termocentralet lundruese të prodhimit të energjisë të vendosura në Vlorë nga kompania amerikane “Excelerate Power”, e shoqëruar nga zv/kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Kim shprehu kënaqësinë që Shqipëria arriti të merrte dy anijet e fundit lundruese të lira që kompania amerikane posedonte.

“Një nga gjërat për të cilën të gjithë kanë qenë duke folur gjatë dy muajve të fundit, ishte kriza e energjisë më të cilin po përballet bota. Veçanërisht në Evropë, ne mund të shohim atë që po ndodh me Rusinë dhe Ukrainën dhe ne duhet të sigurohemi që aleatët e NATO-s dhe miq si Shqipëria të mund të diversifikojnë burimet e tyre të energjisë, që të jenë më të sigurta, më të begata dhe më të pavarura. Në fakt jemi me fat, sepse që nga viti 2020 kemi filluar të flasim për energjinë. Hapat që ishin hedhur asaj kohe, dolën të ishin të rëndësishëm. Jemi të kënaqur që kompania amerikane “Excelerate Power”, të mundë të sjellë gjeneratorë të energjisë elektrike. Nuk duken të bukura, por rëndësi ka që funksionojnë”, tha Kim.

Ambasadorja theksoi se në terma mesatare energjia e prodhuar nga 2 anijet do të përmbushë nevojat e rreth 200 mijë familjeve.

“Statistikat tregojnë se vitin e shkuar konsumi total ka qenë 8.4 terravat. Nëse kjo funksionon si duhet, anijet duhet të prodhojnë të paktën 114 megavat dhe kjo të paktën mund të përmbushë 12-15 % të nevojave totale të vendit. Dhe në terma mesatare do të thotë se 150-200 mijë shtëpi do të funksionojnë falë energjisë së prodhuar nga këto dy anije”, deklaroi Kim.