ATSH/ Kisha e Shën Palit, monument kulture i kategorisë së parë, në fshatin Kabash, 5.4 km larg Pukës, e ndërtuar në shekujt II-IV pas Krishtit, kërkon vëmendjen e të gjithëve për t’i mbijetuar shkatërrimit.
Me ftesën e administratores të njësisë administrative Rrape, Lula Mema, kryetari i bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj vizitoi sot kishën shekullore të Shën Palit, e cila konsiderohet dhe si një aset jo vetëm fetare, kulturor e historik, por edhe turistik për zonën.
E konsideruar si nëna e dhjetëra kishave në Veri, Abacia e Shën Palit thuhet se rrethohej nga një sërë objektesh kishtare.
Objekti i rëndësisë së veçantë është shpallur monument kulture i kategorisë së parë dhe tani kërkon vëmendjen e të gjithëve për t’i mbijetuar shkatërrimit.
“Kjo kishë ka vlerë unikale, duhet bërë ndërhyrje patjetër, ne jemi në fazën më kritike ku kjo kishë për moskujdesje mund të shkatërrohet totalisht. Do bëjmë përpjekje për të ndërhyrë në këtë kishë, monument kulture”, – tha Gjonaj.
Sipas tij, kjo është kisha më e vjetër që gjendet në territorin e bashkisë së Pukës.
“Kjo kishë duhet rehabilituar në mënyrë urgjente, duhet të ndërhyjmë sa nuk është vonë”, – shtoi Gjonaj,
Administratorja e njësisë administrative Rrape, Lula Mema, tha se “pavarësisht se është lënë për shumë arsye pa u bërë një rikonstruksion në mënyrë të kujdesshme, pa humbur gurët e vjetër të besimit këtu vazhdojnë vijnë pelegrinë në dy data të shënuara”.
Sipas saj, banorë të këtij fshati që jetojnë në emigracion presin një bashkëpunim me bizneset për të restauruar këtë kishë.
Kisha e Shën Palit ndodhet 5,4 km larg qytetit të Pukës në fshatin Kabash dhe rruga ka një nivel mesatar të guidës.
Shumë pak është folur për historinë e këtij objekti, por është një kishë shumëshekullore dhe është shpallur si “Monument Kulture” në vitin 1984. Kjo kishë mendohet të jetë ndërtuar në shek. II-IV pas Krishtit. Në dokumente historike gjendet si Manastiri i Shën Palit e më vonë si Abacia e Shën Palit. Kjo ishte një abaci e autorizuar nga Roma për të shuguruar priftërinj dhe kjo tregon se ka qenë një nga abacitë më të rëndësishme në Ilirinë e atëhershme.
Gojëdhëna thonë se ishte vetë apostulli Pal, i cili solli krishtërimin në këtë zonë, gjë e cila nuk mund të injorohet duke pasur parasysh qytetërimin e hershëm të Komanit dhe Kabashit dhe se kjo zonë ndodhej në zemër të Ilirisë.