BREAKING NEWS

PARASHIKOHEN TENSIONE, YURI KIM BËN LËVIZJEN E RËNDËSISHME PAK DITË PARA ZGJEDHJEVE

x

POLITIKE

Klevis Xhoxhi: Objektivi për 8 deputetë në Elbasan i arritshëm, do jem zëri i qytetarëve në Parlament, PS mandat të tretë për të çuar përpara reformat

Klevis Xhoxhi: Objektivi për 8 deputetë në Elbasan i

Kandidati i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Klevis Xhoxhi shprehte i bindur se PS do t’i fitojë zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, pas sipas tij, janë shumë arsye se përse qytetarët do t’i besojnë votën asaj, duke i dhënë një mandat të tretë qeverisë. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Xhoxhi, i cili renditet i dyti në listën e Partisë Socialiste në Elbasan, theksoi se kufiri maksimal i vendosur nga kryeministri Edi Rama për 8 mandate në Elbasan është plotësisht i arritur, ndërsa shtoi se mandati i tretë është i domosdoshëm për të çuar përpara reformat e nisura. Sipas tij, vetëm PS ofron zhvillim, të ardhme të ndritur, siguri dhe mirëqenie për qytetarët e Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë. Ndërkohë, socialisti Xhoxhi u shpreh se një ndër shumë veçoritë e mira që ka Partia Socialiste, sipas tij, është fakti se ajo është një parti që mban premtimet dhe di të menaxhojë krizat e rënda dhe të zgjatura, referuar këtu tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë së Covid-19.

-Zoti Xhoxhi, përse një i ri si ty që i ka krijuar vetes me punë një rrugë të suksesshme në aspektin profesional sa i takon medias, vendosi të investohet në politikë?

Së pari më lejoni t’ju falënderoj për hapësirën mediatike që media juaj më ka caktuar, duke më dhënë një mundësi shumë të mirë të komunikoj me audiencën e një organi mediatik serioz siç është institucioni juaj. Angazhimi im në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste nuk është aspak i rastësishëm. Unë jam jurist me profesion dhe si i tillë më është dhënë mundësia të jem në pozicione kyçe për zhvillimin e qarkut të Elbasanit. Në këto pozicione, ne të gjithë, e theksoj të gjithë, kemi bërë më të mirën tonë të mundshme. Natyrshëm, ekipi drejtues i Partisë Socialiste, si kryeministri Rama ashtu dhe drejtuesi politik i qarkut z. Taulant Balla erdhën në përfundimin që për të bërë më shumë për qarkun dhe qytetin e Elbasanit, tashmë ishte i nevojshëm një lobim më i fuqishëm në përditshmërinë e Parlamentit dhe të qeverisjes së ardhshme. Ky lobim mund të jetë serioz vetëm nëse të gjithë kandidatët e listës së mazhorancës do të ishin të lidhur edhe fizikisht, edhe shpirtërisht me trevën nga ata vijnë dhe në të cilën kontribuojnë. Ne të gjithëve na është dhënë mundësia që pas një karriere të suksesshme në nivel të trevës, idetë tona, dëshirat tona, pritshmëritë që kemi marrë dhe mbajtur shënim nga banorët gjatë tërë kohës në shërbim të qytetarëve t’i dërgojmë si një zë të vetëm, si një zë të fuqishëm që do të flasë me seriozitet dhe konsekuencë në emër të Elbasanit në Kuvendin e Shqipërisë.

– Cilat janë cilësitë që ju kanë karakterizuar gjatë rrugëtimit profesional që mendoni se mund të jenë vlerë e shtuar në rrugëtimin politik?

Është vështirë të flasësh për veten, sepse do të doja të flisnin bashkëpunëtorët dhe banorët e qytetit që i kam shërbyer. Por, pa modesti, është një cilësi e imja, e brendshme, ndoshta e trashëguar nga familja dhe kjo është këmbëngulja deri kokëfortësi në mbajtjen e fjalës së dhënë ndaj qytetarit të thjeshtë. Tërë ecuria ime profesionale ka patur të bëjë më shërbimet e ofruara banorëve dhe më ka mësuar që vendimmarrja më e duhur është ajo vendimmarrje që arrihet nga dëgjesat me pjesëtarët dhe përfaqësuesit më tipikë të komuniteteve. Besoj se pikërisht kjo cilësi më bën pjesë edhe të forcës politike që më ka kandiduar, sepse është e vetmja forcë politike që e ka të shenjtë mbajtjen e fjalës.

-Si e kanë pritur qytetarët e Elbasanit, kandidimin tuaj si deputet nën siglën e PS?

Nuk ka një mënyrë për ta matur në mënyrë të saktë, por duke gjykuar nga mënyra sesi na takojnë dhe sesi na presin, i jam falënderues.

-Dakord, por zgjedhjet parlamentare të 25 prillit po afrojnë, si paraqitet situata brenda PS dhe përse qytetarët shqiptarë duhet t’i besojnë votën PS, e madje një mandat të tretë qeverisës në 25 prill?

Përgjigja është e thjeshtë: Ne provuam se dimë dhe mundemi të mbajmë premtimet, ne provuam se dimë të menaxhojmë kriza të rënda dhe të zgjatura. Gjithashtu ne kemi punuar dhe kemi nisur projekte të mëdha zhvilluese, të cilat asnjë qytetar nuk do të donte që të liheshin të papërfunduara.

– Sa i arritshëm është kufiri maksimal i vendosur nga kryeministri Edi Rama për 8 mandate në Elbasan?

Kufiri maksimal i vendosur nga kryeministri Edi Rama për 8 mandate në Elbasan, është plotësisht i arritur.

-Cilat janë çështjet, nevojat, apo problematikat e komunitetit të zonës suaj elektorale, për të cilat ju do të angazhoheni më shumë nesër si deputet i Parlamentit të Shqipërisë?

Problematikat e tyre janë edhe specifike, por në shumicën e rasteve të ngjashme me problematikat që hasen në të gjithë Shqipërinë. Por problematika e tyre më e madhe është që zëri i tyre të dëgjohet dhe mendimi i tyre të merret seriozisht nga institucionet përfaqësuese. Ky është dhe premtimi kryesor që ne bëjmë dhe që do ta realizojmë si ekip fitues.

Sot.com.al