Bashkimi Evropian nuk do të hapë kufijtë e jashtëm për shtetasit e shumicës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, pas 1 korrikut, përveçse për Malin e Zi dhe Serbinë.

Pas bisedimeve maratonë në Bruksel, ambasadorët e shteteve anëtare hartuan një listë me vendet që konsiderohet të sigurta, e ja bashkëngjitën atë një rekomandimi për Këshillin Evropian.

Ambasadorët miratuan fillimisht kriteret që duhet të marren në konsideratë për të hequr kufizimet e udhëtimit ndaj shtetasve të huaj, e më pas mbi bazë të tyre hartuan listën prej 15 vendesh. Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk janë përfshirë në listë, e kjo do të thotë se kufizimet për shtetasit e këtyre vendeve do të mbeten në fuqi edhe pas 1 korrikut.

Para më shumë se dy javësh Komisioni Evropian kishte propozuar që për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të hapen kufijtë e BE-së nga 1 korriku, por prej atëherë situata është përkeqësuar dukshëm me rritje të konsiderueshme të rasteve me Covid-19.

Kufizimet nuk do të hiqen as për shtetasit amerikan, ata të Brazilit dhe Rusisë, ndërkaq Kina konsiderohet vend i sigurt. Kusht kryesor për rihapjen e kufijve, ishte ai që shtetet jashtë BE-së të kishin një nivel infektimi prej 16 ose më pak rastesh për 100 mijë banorë. Burime pranë BE-së pohojnë se do të përjashtohen kufizimet për shtetasit që udhëtojnë për punë sezonale, studime, për diplomatët e punonjësit e shëndetësisë. Megjithatë, ky mbetet thjesht një rekomandim, pasi në fund janë shtetet anëtare ato që vendosin ti hapin ose jo kufijtë.