5.6 milionë shtetas të huaj kanë vizituar Shqipërinë përgjatë vitit të kaluar.

Këto janë shifrat e publikuara nga Instat, ku konstatohet një përmirësimin e dukshëm në raport me vitin e pazakontë pandemik 2020 ku hyrjet e turistëve të huaj u rritën me gati 3 milionë më shumë.

Por, sërish me gjithë shifrat pozitive, turizmi nuk është rekuperuar plotësisht pasi nuk ka arritur dot nivelet e para pandemisë, kur në 2019 hyrjet e shtetasve  të huaj arrinin në 6.4 milionë vizitorë.

Vizitorët nga Kosova kanë “shpëtuar” turizmin edhe vitin e kaluar me gati 2.6 milionë shtetas të ardhur në vend, gati dyfish më shumë se në vitin 2020 kur numri i tyre ishte ndjeshëm më i ulët si pasojë e masave kufizuese për shkak të Covid. Pesha e turizmit patriotik u rrit ndjeshëm duke kapërcyer edhe nivelet e vitit 2019

Pas tkurrjes së fortë në vitin 2020 pikërisht prej pandemisë, viti i kalaur ka rikthyer fuqishëm polakët me mbi 112 mijë vizitorë në total.

Megjithatë, përtej përpjekjes dhe dëshirës për të thithur sa më shumë turistë elitar, sërish ato nga vendet e rajonit dominojnë hyrjet në vend pasi në raport me 2020-ën rezulton në rritje e numrit të vizitorëve nga Mali i Zi e Maqedonia por edhe nga vendet fqinje si Greqia e Italia.

Të njëjtin trend në rritje ka ndjekur edhe numri i shqiptarëve që kanë dalë jashtë vendit. Statistikat tregojnë se pas lehtësimit të masave kufizuese nga vendet e huaja mbi 4.1 milionë qytetarë shqiptarë kanë kaluar kufijtë, megjithatë dukshëm më pak se në vitin e parakrizës në 2019-ën kur numri i tyre arrinte në gati 6 milionë.

Shpërthimi i varianteve të reja po bën që shumë vende të huaja të rikthejnë masat shtrënguese duke mos lejuar kalimin e qytetarëve pa dozat e vaksinimit apo testet përkatëse që dëshmojnë se vizitorët nuk janë të infektuar me ndonjërin prej tyre.

Kjo prek më së shumti shqiptarët që duan të dalin jashtë kufijve për pushime apo qëllime të tjera, teksa vendi ynë nuk aplikon masa ndaj shtetasve të huaj që hyjnë në vend.

Megjithatë, një situatë e tillë ende e paqartë mund të vërë sërish në pikëpyetje ecurinë e turizmit që ende nuk ka arritur të rikuperojë plotësisht goditjen e pandemisë si në numra të vizitorëve të huaj, ashtu edhe në të ardhura prej tyre.

Top Channel