Covidi e thelloi krizën ekonomike, por në vendin tonë ajo kishte nisur që në vititn 2019. Të paktën, këto janë shifrat që jep INSTAT, duke raportuar se gjatë vitit të kaluar u mbyllën plot 4300 biznese të vogla
Bizneset e vogla nuk po arrijnë të mbijetojnë në një mjedis me konsum të dobët dhe konkurrencë të ashpër nga zinxhirët e organizuar të tregtimit që sa vijnë e po shtohen. Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në total, pa përfshirë bujqësinë, numri i subjekteve në vend ishte 116.6 mijë në vitin 2019. Në raport me një vit më parë janë mbyllur neto rreth 4 mijë biznese, me një rënie prej 2.5%. Të dhënat e detajuara të INSTAT bëjnë të ditur se kjo rënie ka ardhur tërësisht nga falimentimi i subjekteve të vogla më 1-4 punonjës. Gjithsej në fund të 2019-s, në vend kishte 99 mijë biznese me 1-4 punonjës, duke përbërë 85% të totalit të ndërmarrjeve jo bujqësore në vend. Në raport me një vit më parë janë mbyllur neto rreth 4,300 biznese të vogla, me një tkurrje prej 4.1% me bazë vjetore.
Rënia më e lartë e numrit të bizneseve është konstatuar në sektorin e tregtisë dhe atë të akomodimit dhe shërbimit ushqimor. Ky është viti i tretë radhazi që numri i ndërmarrjeve të vogla vjen në rënie. Pjesa më e madhe e bizneseve të vogla janë të vetëpunësuara. Banka Botërore në raportin e fundit për Shqipërinë se vendi është veçanërisht i rrezikuar nga kriza e Covid-19 për shkak të nivelit të lartë të vetëpunësimit, me rreth 33% të totalit.
Banka tha se pas krizës, rrezikonte që deri në 48% e popullsisë të zhytej në varfëri, nga rreth 40% që është sot. Ekonomia shqiptare është e përqëndruar kryesisht në aktivitetin tregtar, dukuri e cila vihet re edhe nëndërmarrjet e regjistruara gjatë vitit 2019. elbasaninews