ATSH-Arbi Fortuzi/-Rovena Voda, zv/Ministre e Brendshme, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se bashkëpunimi me FRONTEX ka rritur zbulueshmërinë e emigrantëve të paligjshëm.
Ajo tha se po përgatitet ligji për azilkërkuesit, i cili do të ndihmojë në zbulimin në kohë rekord të identitetit dhe origjinën e azilkërkuesit.
“Javën që shkoi u mbush 1 vit nga implementimi i marrëveshjes së FRONTEX. Shqipëria ishte vendi i parë që ratifikoi marrëveshjen dhe e implementoi atë. Në këtë stad që jemi, jemi shumë më përpara se vendet e tjera. Kontributi i oficerëve të FRONTEX ka qenë i padiskutueshëm, si në logjistik, si në patrullim me shtetin grek. Kanë dhënë kontribut 17 shtete anëtarë të BE, duke angazhuar 415 punonjës policie me 7 profile të ndryshme për kontrollin kufitarë. Vendet kontribuese janë, Austria, Gjermania, Kroacia, Sllovenia, Çekia, Hungaria, Estonia, Lituania, Letonia, Bullgaria, Finlanda, Bullgaria, Italia, Franca, Polonia, Hollanda, Rumania, si dhe vetë FRONTEX”,- tha Voda për ATSH.
“Gjatë periudhës 22 maj 2019-22 maj 2020, në patrullime janë angazhuar 51 oficerë policia, të ndarë 45 prej të cilëve në mbikëqyrje, 25 në Korçë dhe 20 në Gjirokastër, përkatësisht 12 patrulla në Gjirokastër dhe 14 në Korçë”,- shton Voda.
“Nga periudha 22 maj e vitit të shkuar deri në 20 maj 2020 janë trajtuar 13 625 imigrantë të parregullt, ose 82.9% më shumë se periudha 22 maj 2018-20 maj 2019. Kombësia e tyre janë sirianë, irakenë, afganë, marokenë”,- vuri në dukje Voda. “Numri kërkesave për azil gjatë vitit 2019 është 6 703, ose 56.3% i numrit të përgjithshëm të migrantëve. Në vitin 2018, ky numër ishte 4 175 ose 60% e numri total të emigrantëve të përgjithshëm”,- tha Voda.
“Me rëndësi thelbësore është procesi i skanimit të imigrantëve si për vendin tonë ashtu dhe për BE, pasi së bashku me imigrantët e thjeshtë mund të ketë dhe elementë kriminal, terrorist, prandaj bëhet intervista e detajuar dhe skanimi i personit, që kërkon të hyjë në vendin tonë dhe këto të dhëna ruhen në regjistrin elektronik të të huajve dhe më pas emigrantët dërgohen në qendrat e pritjes në kufi, me kapacitet të vogël, por që shërbejnë për të kryer intervistimin dhe ndihmën e parë, ushqim, veshmbathje, asistencë shëndetësore dhe psikologjike. Nëse këto identifikohen si azilkërkues ato sillen në Babrru në Tiranë”,- tha Voda.
“Qendra e Babrrusë për shkak të COVID-19 është mbyllur dhe ne kemi arritur të mos kemi asnjë azilkërkues të prekur nga COVID-19”,- tha Voda për ATSH.
“Unë besoj se bashkëpunimi me FRONTEX është pozitiv dhe do jetë një vlerësim më shumë për vendin tonë në progres-raportin për Shqipërinë. Në muajt e parë të këtij viti, ka pasur një rritje të madhe, shifër që ka shkuar në 150-200% më shumë se në vitet e paraardhëse, ndërsa në muajit në vijim, mars, prill, maj, pati një rënie drastike, pra nëse kemi pasur mbi 1000 imigrantë në janar e shkurt, në muajt e pandemisë ky fluks ra në 100-150 dhe uroj të vijojë ky trend i ulët. Kufiri shqiptarë është nën një mbikëqyrje korrekte dhe është një lloj paralajmërimi për emigrantët që abuzojnë për të drejtën për azil. Unë s’dua të përmend emra shtetesh, por vijnë nga vende që sipas listave të njohura botërisht janë vende të sigurta”,- tha Voda.
“Ajo që po bëjmë është në lidhje me disa shqetësime për situatën e emigrantëve në territor. Së pari kemi angazhim maksimal për respektimin e procedurave standarde. E dyta respektim të drejtave të tyre, duke pritur në Babrru, ata emigrantë që kanë statusin e azilkërkuesit. E treta po punojmë për rritjet e kapaciteteve pritëse, jo brenda në qytete të mëdha, në zonat urbane, por në zona kufitare, si Gërhot, Kakavijë, Kapshticë, është hapur qendër e re pritëse në Ersekë, ku do jetë e lehtë për identifikimin fillestar dhe monitorimin e tyre”,- tha Voda.
Lidhur me kuadrin ligjor të çështjes së imigracionit të parregullt, Ministria e Brendshme ka si prioritet miratimin në kuvend brenda këtij seksioni parlamentarë, fundin e korrikut dhe ligjin për Azil, një ligj i ri, që përafron legjislacionin tonë me BE dhe respekton standardet e të drejtave të njeriut dhe respekton e rrit sigurinë në vend”,- theksoi Voda për ATSH.
“Ky ligj është diskutuar dhe konsultuar me ekspertët e Komisionit Europian dhe Delegacionin e BE-së në vendin tonë, me UNHCR, dhe gjithashtu ky pr.ligj është në Këshillin e Ministrive dhe pritet të miratohet. Një nga risitë është “Fast Track”, një procedurë që e kanë vendet e BE-së, si Gjermania, ku brenda 48 orëve konstaton se personi që pretendon të jetë azilkërkues është ose jo i tillë. Kjo procedurë do arrijë që në një kohë rekord të identifikojë se cilët imigrantë do mund ta marrin statusin e azilkërkuesit, apo është një person me probleme ekonomike, por që nuk vjen nga zonat e riskut “,- nënvizon Voda për Agjencinë Telegrafike Shqiptare./a.g/