ATSH/ -Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se Komiteti i Ekspertëve ka vendosur masat e reja kufizuese pasi ka vlerësuar imtësisht situatën.
Në një intervistë televizive Manastirliu tha se vlerësimi shumë i imtësishëm i situatës ka marrë në konsideratë rritjen e rasteve të infektimit, rritjen e incidencës dyjavore, ku jemi në shifrat e 177 të infektuar për 100 mijë banorë dhe të gjithë atyre indikatorëve të rëndësishëm për vlerësimin e situatës epidemiologjike, ku përfshihen gjithashtu edhe rastet në terapinë intensive si dhe rastet që fatkeqësisht nuk ia dalin në këtë betejë, sikundër koeficentit të riprodhimit të virusit. Komiteti i Ekspertëve theksoi ministrja, ka vendosur të ndërmarrë disa masa kufizuese, të cilat quhen masa me intensitet mesatar në raport me situatën ku jemi, që është një situatë dinamike dhe padyshim kërkon që të kemi një angazhim të madh qytetar për të zbatuar këto masa, në mënyrë që sado të jetë e mundur të kemi mundësi të kufizojmë përhapjen e virusit.
Në një intervistë televizive, ajo u shpreh se, “nuk duhet të harrojmë që ne jemi duke jetuar në një normalitet të ri, në një normalitet me rregulla, i cili na ka vendosur disa kufizime, ndër të cilat janë vendosja e maskës, mbajtja e higjenës, distancimin social që duhet të mbajmë”.
“Ajo çfarë është e vërteta, është që grupet tona të ekspertëve, grupet që punojnë jo vetëm me statistika në zyrë, por edhe në terren vlerësojnë situatën dhe nxjerrin konkluzione për burimet kryesore të infektimit, jo vetëm kush janë qytetet me risk më të lartë apo zonat me risk më të lartë, por edhe kush janë aktivitetet që sjellin riskun më të madh të infektimeve. Dhe një nga konkluzionet është se baret, lokalet e orëve të vona, janë një burim i përhapjes së infeksionit”, tha Manastirliu.
Pra, theksoi ajo, “nuk është se virusi del vetëm natën se virusi është prezent 24 orë në 24. Por aktivitetet në këto lloj mjedisesh, ku njerëzit qoftë prej të qenit bashkë në shoqëri, qoftë prej konsumit të pijeve relaksohen. Dhe sidomos grupmoshat e të rinjve të cilët e ulin vigjilencën”.
Manastirliu tha se, “është e vërtetë që të rinjtë e kalojnë më lehtë, në bazë të statistikave, virusin, edhe ndonjëherë edhe pa simptoma, por ata bëhen shkak për të infektuar më pas prindërit, gjyshërit dhe ia përcjellin atyre. Dhe ata që janë më vulnerabël nga pikëpamja e shëndetit nuk e përballojnë më pas sëmundjen”.
Ndaj theksoi ajo, “ishte ky lloj arsyetimi që drejtoi Komitetin tonë të Ekspertëve të vendoste për këtë masë. Dhe gjithashtu dhe në bazë të rekomandimeve të OBSH-së dhe të gjithë institucioneve të tjera, ku thuhet se dhe masat duhet të merren në proporcion me indikatorët. Dhe duhet filluar nga masat e intensitetit të ulët, të intensitetit të moderuar dhe intensitetit të lartë”.
Manastirliu u shpreh se, “tani jemi në masat e intensitetit mesatar”.
E pyetur se kur mund të ketë përshkallëzim të masave, Manastirliu tha se, “situata është dinamike. Patjetër që dhe masat janë fleksibël. Komiteti i Ekspertëve, grupet tona të punës, janë duke monitoruar situatën mbi baza ditore, mbi baza javore, mbi baza dyjavore. Do të ketë një vlerësim mbi bazë javore dhe dyjavore. Këto masa i kemi vendosur për të qëndruar në një periudhë trejavore, por sigurisht me evoluimin e epidemisë do të kemi dhe komunikime që do të informojmë publikun nëpërmjet medias për ato hapa që do të ndërmarrim dhe për situatën epidemiologjike që do të kemi në vijim”.
E pyetur në lidhje me mundësinë për të pasur më pak pacientë në dhomat e spitaleve për të ulur ngarkesën virale, ministrja tha se, “në Komitetin tonë të Ekspertëve ku ka dhe mjekë infeksionistë, të cilët vlerësojnë pikërisht këto elementët që janë shumë të rëndësishëm në kuadër edhe të ngarkesës virale dhe standardeve, kanë vlerësuar që aktualisht sistemi dhe shtretërit janë brenda atyre standardeve që praktikisht kërkohen. Dhe ne jemi gati në çdo moment nëse Komiteti i Ekspertëve sugjeron që duhet të kemi një shtrat në dhomë, ne jemi gati që patjetër të akomodojmë edhe të adresojmë edhe këtë standard të ri”.
Manastirliu u shpreh se “qeveria ka një udhërrëfyes të rëndësishëm në luftën kundër këtij virusi që janë pikërisht Komiteti dhe grupet tona të Ekspertëve, të cilët drejtojnë punën tonë nga pikëpamja teknike dhe shkencore. Qeveria është e gatshme që të akomodojë të gjitha kërkesat teknike, shkencore”.
Manastirliu tha se Shqipëria është shumë më ulët për fatalitetet se mesatarja e rajonit dhe vendeve të BE-së.
“Shqipëria është në raport me mesataren e fataliteteve në rajon dhe atë të BE, në raport shumë më të ulët në krahasim me vendet e tjera. Jemi shumë më ulët se mesatarja e rajonit dhe mesatarja e vendeve të BE-së. Por këto janë bilance, që unë e kam thënë që në fillim,që nuk bëhen në mes të luftës. Ne jemi në një moment shumë delikat, ku epiqendra e virusit sot është Europa dhe padyshim ka një nevojë të madhe për një ndërgjegjësim të madh qytetar për zbatimin e rregullave”, u shpreh ajo.
/j.p/