ATSH/ Ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Artur Kuko ka sqaruar, në një intervistë për Deutsche Welle, procedurat si do të bëhet konvertimi i patentës shqiptare.
Kuko thotë se, verifikimi do të bëhet nga autoritetet gjermane, ndërsa theksoi se ata që e kanë marrë dokumentin pas vitit 2017 e konvertojnë automatikisht.
“Është më shumë se e sigurt që të gjitha landet, duke filluar nga 1 qershori i këtij viti, do të fillojnë me njohjen dhe konvertimin e patentave shqiptare. E theksoj edhe një herë: vetëm për ata që plotësojnë kushtin themelor, pra, vetëm ata që janë rezidentë të ligjshëm në territorin e Republikës Federale Gjermane. Mënyra si funksionon është: Ai që ka nevojë për konvertimin e lejes së drejtimit paraqitet te organet gjermane. Ata që e kanë marrë dokumentin pas vitit 2017 e konvertojnë automatikisht. Ata që e kanë marrë para vitit 2017 do t’u nënshtrohen verifikimit, pasi të kenë kontaktuar autoritetet gjermane. Autorietet gjermane kontaktojnë autoritetet shqiptare dhe bëjnë autentifikimin e dokumenteve të paraqitura”, u shpreh Kuko.
I pyetur nëse priten të nënshkruhen marrëveshje të tjera mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, Kuko tha se, “besoj që me këto marrëveshje kuadri ligjor i marrëdhënieve bilaterale midis vendit tonë dhe Gjermanisë është i plotë. Përveç marrëveshjes së njohjes së patentave, vitet e fundit janë nënshkruar edhe marrëveshja për njohjen e sigurimeve shoqërore, dhe për njohjen e pullës apostijë. Janë të treja elemente që kanë një impakt të veçantë në jetën e përditshme të njerëzve. Puna jonë është që të fokusohemi në mbushjen me substancë të këtij kuadri ligjor, në mënyrë që të shkojmë përtej këtij niveli shumë të lartë të dialogut politik që kemi midis Tiranës dhe Berlinit, por edhe midis Tiranës dhe kryeqyteteve të disa landeve gjermane”.
Për marrëdhënien mes Berlinit dhe Tiranës me ardhjen në pushtet të qeverisë së kancelarit Scholz, Kuko u shpreh se, ” Lajmi i mirë është se, megjithëse kemi një konstelacion të ri që drejton Gjermaninë, dedikimi mbetet i njëjti. Këtë e demonstron edhe fakti, që perspektiva evropiane dhe përpjekjet për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE janë të mishëruara në programin e Qeverisë Federale. Në mënyrë të përmbledhur, qëndrimi i Gjermanisë është, që Shqipëria ka akumuluar një masë kritike reformash që mundësojnë çeljen e negociatave. Flasim vetëm për çeljen e negociatave dhe jo për shkurtimin e procedurave dhe mbylljen e syve përballë reformave në fushat e ndryshme të jetës”.
Për përfshirë më shumë të investitorëve gjermanë në investimet strategjike të Shqipërisë, Kuko theksoi se, “është evidente që veçanërisht gjatë dy-tre vjetëve të fundit që edhe pandemia ka afektuar, në aspektin sasior, zhvillimin e këtyre marrëdhënieve. Jam optimist që marrëdhëniet tregtare do të vijojnë të rriten. Mos të harrojmë dhe mos lodhemi kurrë së evidentuari që Gjermania ka ndihmuar Shqipërinë me një shumë prej 1,2 miliardë euro. Këto janë para të taksapaguesit gjermanë që janë dhënë nga Gjermania në formë grantesh dhe kredish për Shqipërinë, gjatë këtyre tridhjetë vjetëve të fundit. Por synimi ynë është të lëvizim përtej kësaj. Ne synojmë të rrisim nivelin e marrëdhënieve tregtare, të rrisim marrëdhëniet ekonomike në sektorin privat, në Shqipëri, dhe unë kam përshtypjen që qysh brenda këtij viti do të shohim zhvillime me shumë interes për jetën ekonomike shqiptare”.
Për për hapjen e shkollave shqipe në Gjermani, Kuko tha se, “ka zhvillime në këtë drejtim, një zhvillim i mire vjen në formë të përbashkët nga Shqipëria dhe Kosova. Është unifikimi i testeve që shërbejnë për mësimin e gjuhës shqipe, janë disa shkolla që janë në proces të hapjes, jo vetëm në Berlin, por edhe në disa Lande të tjera, dhe jam optimist që me dedikimin e faktorëve lokalë, qofshin nga Shqipëria apo nga Republika e Kosovës, dhe përkushtimin e tyre për të promovuar shqipen, veçanërisht te brezi i ri, me mbështetjen e Tiranës dhe Prishtinës, do të shohim hapa përpara edhe në këtë drejtim”. /j.p/



























