Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste, zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko e ka cilësuar listën e PS-së si “listë shprese”, ndërsa i krahasoi listat e opozitës si “lista magazine relikesh”.Gjatë një interviste në medie, Kuko tha se PS e meriton një mandat të tretë, pasi ajo i ka dhënë provat se mundet të qeverisë denjësisht vendin.

Ajo mori si shembuj situatat e vështira të pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe ato të pandemisë gjatë vitit 2020-2021.

“Qasja sociale që PS ka, menaxhimi i tërmetit me rindërtimin, reforma administrativo-territoriale, reforma në drejtësi etj., mendoj se qytetarët mund ta bëjnë dallimin, mes një partie që i ka dhënë provat dhe po rifreskon veten, pra nuk po e riciklon vetëveten, apo alternativave të tjera që janë provuar në qeverisje dhe thjesht po vijnë si listë ricikluese”, tha Kuko.

Zëvendësministrja e konsideroi të marrit me politikë si detyrë të çdo qytetari. Duke e konsideruar veten si person me ndjesi të drejtësisë sociale, ajo tha se do të vijonte të merrej me politikë pavarësisht rezultatit në zgjedhjet e 25 prillit. PS e ka kandiduar si të 26-ën në listën e Tiranës Romina Kukon. Kuko shprehet se ndjehet e motivuar.