Kur nuk kanë as 24 orë nga plagosja në Kurbin, autori që plagosi mbrëmë dajë e nip, Aurel Shurbin është vetëdorëzuar në polici.

Gazetari i Report Tv, Elvis Hila raporton se shkak i konfliktit që çoi në plagosjen e Agron Memës, 50 vjeç dhe Klevis Leka 30 vjeç, ka qenë një konflikt i tre ditëve më parë, e për pasojë autori është hakmarrë. Burime zyrtare bëjnë me dije se rreth dy kilometra larg vendit të ngjarjes, është gjetur dhe sekuestruar edhe arma e zjarrit kallashnikov. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur rreth orës 23:00, në vendin e quajtur Ura e Drojës në Kurbin ku morën plagë në pjesën e këmbëve Agron Mema 50 vjeç dhe nipi i tij Klevis Leka 30 vjeç, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Ditën e djeshme u shoqëruan në Komisariat 3 persona, familjarë të autorit, të cilët u lanë më pas të lirë. “Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin u bë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të konfliktit dhe shoqërimi në Komisariatin e Kurbinit, i personave të përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasi Gj. Sh, djali i tij shtetasin E. Sh. dhe shtetasin P. L. (daja i E. Sh) , si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. Sh., djali tjetër i shtetasit Gj. Sh”, njofton policia.

Ndaj 26-vjeçarit rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”./Shqiptarja.com