Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi zhvilloi një takim me drejtuesit e shkollave të arsimit special ku u diskutua mbi sfidat e imponuara nga pandemia.
Kushi u shpreh se, “në takimin e zhvilluar me drejtuesit e shkollave të arsimit special diskutuam gjerësisht mbi sfidat që ka imponuar pandemia këtë vit shkollor edhe në këtë fushë, si dhe mbi bashkërendimin e përpjekjeve për të adresuar çështje që prekin nxënësit me aftësi ndryshe”.
Sipas ministres së Arsimit, gjithëpërfshirja do të jetë përherë përparësi e politikave arsimore të MASR.
“Gjithëpërfshirja do të jetë përherë përparësi e politikave arsimore të MASR, andaj komunikimet me drejtuesit e shkollave speciale do t’i kemi akoma më intensive në mënyrë që të rrisim ndërveprimin me ta dhe rrjedhimisht të çojmë përpara të tjera punë konkrete në funksion të mbështetjes së nxënësve të kësaj kategorie”, tha Kushi.