Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, vizitoi sot nga afër shkollat në qytetin e Korçës, për të parë nga afër zbatimin e masave antiCovid.
Para 2 ditësh, nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Sotir Gurra” në Korçë e zhvilluan mësimin “online” për vetëm një ditë për shkak të mungesës së disa mësuesve dhe dezinfektimit rrënjësor që iu bë shkollës.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, vizitoi sot këtë shkollë, ndërsa theksoi se “fatmirësisht, mësimi ka rifilluar normalisht”.
Po ashtu ministrja Kushi ka ndjekur masat e marra edhe në shkollën e mesme artistike “Tefta Tashko Koço”.
“Gjatë ditës së punës në qytetin e mrekullueshëm të Korçës ndoqa nga afër edhe masat e ndërmarra në shkollën e mesme artistike “Tefta Tashko Koço” dhe shkollën 9-vjeçare “Mësonjëtorja e Parë Shqipe”. Me nxënësit dhe mësuesit bashkëbisedova mbi ecurinë e deritanishme të procesit mësimor dhe nënvizova se sa e rëndësishme është që të gjithë të respektojmë rregullat antiCOVID, si një përgjegjësi e madhe qytetare që na ndihmon me vazhdimin e mësimit në bankat e shkollës”, tha Kushi.