Liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian duan të nënshkruajnë një strategji të re të përbashkët për mbrojtjen në fillim të vitit të ardhshëm, pjesë e një shtytjeje për të përmirësuar bashkëpunimin e sigurisë, tha sot presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.

“Ne duam të rrisim investimet në mbrojtje, aftësitë civile dhe ushtarake, si edhe gatishmërinë operacionale”, tha Michel për shtypin pas videokonferencës së udhëheqësve.

Në vitet e fundit, BE është përpjekur të koordinohet më ngushtë për çështjet e sigurisë.

Qëllimi kryesor është një autonomi më e madhe strategjike, duke lejuar Europën të projektojë interesat dhe vlerat e saj në një skenë botërore, ku Shtetet e Bashkuara duket se po tërhiqen, ndërsa Kina dhe Rusia po bëhen më këmbëngulëse.