ATSH/- Shqipëria ka përgatitur tashmë kornizën ligjore sipas standardeve europiane, në lidhje me aktivet virtuale të parasë.
Ligji “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, është botuar në Fletoren Zyrtare dhe synon të bëjë rregullimin, ndalimin në rast abuzimi dhe marrjen e penaliteteve në lidhje me aktivitetet virtuale dhe shërbimet e lidhura me to.
Rregullimi e vënia nën mbikëqyrje e teknologjisë së re synon shfrytëzimin sa më të mirë të gjithë potencialit të teknologjisë “Distributed Ledger” (DLT); uljen e potencialeve të kostove të sistemit të pagesave; nxitja e financimeve për ekonominë vendase nëpërmjet burimeve alternative të financimit; tërheqja e investitorëve të huaj dhe krijimi i përfitimeve ekonomike për vendin.
Sipas relacionit që shoqëron këtë ligj, “synohet rregullimi i të gjithë infrastrukturës mbi bazën e së cilës funksionon teknologjia “Distributed Ledger” (DLT), kushtet për licencimin, ushtrimin e aktivitetit të operatorëve dhe bursave e mbikëqyrjen e tyre, kushtet për emetimin, tregtimin dhe ofrimin e tokenëve digjitalë dhe monedhave virtuale”. e.xh/