Miliona persona në Londër, Eseks, York dhe zona tjera përballen me kategorinë e dytë të masave kufizuese kundër koronavirusit nisur nga dita e shtunë, ka thënë Sekretari britanik për Shëndetësi, Matt Hancock. Kjo nënkupton që më shumë se gjysma e popullsisë së Anglisë do të jetojë me kufizime tejet të rrepta, me qëllim të parandalimit të sëmundjes COVID-19. Kategoria e dytë e masave kufizuese parashikon ndalesat e vizitave brenda ambienteve shtëpiake.

Ndërkohë autoritetet janë duke shqyrtuar mundësitë që edhe zona e Mançesterit të shtrëngojë masat.

Gjatë fjalës së tij, Sekretari i Shëndetësisë, tha se “gjërat do të bëhen më keq, para se të bëhen më mirë”.

“E di se këto masa nuk janë të lehta mirëpo po ashtu e di që janë vitale”, u ka thënë Hancock ligjvënësve.

Kryetari i Londrës, Sadiq Khan ka thënë se “nuk ka mundësi tjetër” për kufizimet e reja dhe deklaroi se po vazhdon t’i bëjë presion qeverisë për më shumë përkrahje financiare, duke shtuar se “ne kemi një dimër të vështirë përpara”.