“Kemi përballuar me sukses COVID-19 deri tani, ndërkohë që kemi marrë masat për zgjerimin e kapaciteteve qoftë për testimet, për sigurimin e mjeteve të mbrojtjes personale dhe për strukturat spitalore”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë bisedës më gazetarët tha se kemi një kapacitet prej 500 shtretërish për përballimin e COVID-19, ku vetëm struktura e re e COVID 4 ka 100 shtretër.

“Ne kemi planifikuar në skenarët tanë në total 500 shtretër. Pra Covid 1, Covid 2, Covid 3 që janë strukturat e ish-kirurgjive, dhe shtohet dhe Covid 4 për të gjitha ato raste kur fluksi do të jetë i madh dhe dihet që vala e dytë mund të jetë propabël, ndaj duhet që të përgatitemi. Kjo strukturë është në kuadër të parapërgatitjes për përgjigje ndaj COVID- 19”, tha Manastirliu.

Manastirliu tha se, “janë marrë të gjitha masat që testimet të mos mungojnë në zbatim të strategjisë së miratuar nga Komitetit Teknik i Ekspertëve, ndërkohë që është rritur dhe stoku i materialeve të mbrojtës personale. Janë vënë në dispozicion 2.5 miliardë lekë nga qeveria për përballimin e situatës së shkaktuar nga COVID-19”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, deklaroi se deri tani janë testuar mbi 1400 personel shëndetësor në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT.

Manastirliu tha se testimi serologjik ka vijuar dhe pozitiviteti rezulton 9% që tregon se mbrojtja e mjekëve dhe infermierëve ka funksionuar, pra 9% e rasteve kanë patur krijimin e antitrupave.

“Testimi do të vijojë edhe tek qytetarët dhe për këtë është gati një plan dhe po pritet miratimi nga Komiteti Teknik i ekspertëve. Është duke u përgatitur një skemë e kampionit të popullatës për testim serologjik, po presim sugjerimet e ekspertëve për vendosjen e kritereve”, tha Manastirliu.  z.tosku./a.a/