Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në çelje të fushatës elektorale, se “arsyeja pse do marrim mandatin e tretë është se Shqipëria nuk do mund të vonohet më prej tyre”.
“Me makina dhe me dasmorë që kanë vënë përpara një dhëndër i cili vonohet 1 orë. Merreni me mend çfarë mund të presësh nga dikush që lë një orë në të ftohët njerëzit që i mbledh vetë. Natyrisht po flinte gjumë se çuditërisht takimin e la në orën 5, për Lulin është një orë për tu zgjuar. Por përtej kësaj, këtu ka dëshirë për të folur me fjalë, se në fund të fundit njeriun nga kafsha fjala e ndan. Atje në mungesë të dhëndrit dasmorët dëgjonin britma, klithma, pasthirrma, një këtu e një atje, një andej e një këndej”, tha Rama.
Si mund të pretendohet, vijoi ai, “në shekullin e 21, në vitin 2021 që të merret në dorë e gjithë kjo Shqipëri dhe të qeveriset me britma, klithma dhe pasthirrma”.
“Atyre që shohin këtu dy kartolina u them se nëse doni të dini se çfarë e pret këtë vend nëse ata do të vinin përsëri në krye shikoni Sheshin “Nënë Tereza”, bllokim total dhe ngatërrim me këmbët e veta i secili,t ndërkohë që ai që duhet tu lehtësoj qarkullimin është në fakt kapësi përkëmbësh i të gjithë atyre. Dhe faktikisht po të shohësh vonesën është shumë domethënëse sepse ata janë shkaktarët e të gjitha vonrsave të këtij vendi. Madje edhe të fillimit me pak vonesë të takimit tonë. Gjithmonë ka pasur një traditë, një orë njeri e një orë tjetri. Ata kanë që dje që ndryshojnë orën, ne lëshojmë orën dhe vendosim një orë tjetër dhe ata vinë prapë tek ora jonë. Dhe na vonuan se pak minuta vonesë, për ne janë shumë”, tha Rama.
Ne vijoi, kryeministri, “nuk jemi mësuar të vonohemi sepse Shqipëria është vonuar shumë për shkak të tyre”.
Kryeministri theksoi se “këtu ka qytetari, pavarësisht se jemi në vështirësi dhe këtu ka një përmasë njerëzore të të qenit së bashku dhe të dëshirës për të qenë së bashku, mundësisht me të gjithë shqiptarët, me shumicën e shqiptarëve”.
“Në këtë kartolinë, shqiptarët që na ndjekin janë rreth 20 mijë me ne këtu përmes Facebook. Shohin disa njerëz të mbledhur me kujdes me distanca, me vetëdije për kohën që jetojmë dhe në anën tjetër shikojnë diçka që është shumë e vështirë të deshifrohet deri në fund si mund të ndodh kur sot në hartën e Europës, treçereku i vendeve janë me ngjyrë të kuqe, të mbyllura në çdo aktivitet. Isha në Paris, një qytet fantazëm as dyqane, as restorante apo grumbullime, të gjithë në shtëpi dhe kështu janë kudo rreth e rrotull”, tha Rama.
Ndërkohë që këtu, theksoi ai “janë dy botë”. “Dhe ndërkohë që për ne patjetër që fushata elektorale është një sfidë, përballja që kemi është një sfidë por sfida e sfidave është fitorja mbi armikun e padukshëm, zmbrapsja përfundimtare e virusit nga jetët tona, të tjerat vijnë të gjitha pas saj dhe ne nuk mund të jemi për të krijuar vatra infektimi. Nuk mund ti thërrasim njerëzit për t’i vënë në rrezik dhe mbi të gjitha përveçse të vëmë në rrezik ata që thërrasin, të çojmë mesazhin më të gabuar te ata që na shohin. Mesazhin e tmerrshëm se kush është më lart mund të sillet si të dojë me shtetin, ligjin, njerëzit, edhe në një luftë mes jetës e vdekjes nuk do t’ja dijë se mbjell vdekjen dhe përçon mesazhin e vdekjes kudo te ata që e shohin”, tha Rama.