Zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj u ka bërë apel qytetarëve të respektojnë masat e qeverisë për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit të ri, COVID-19.

Hodaj bëri apel sot për respektimin e orarit policor, duke publikuar dhe deklaratën e Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës.

“Nisur nga situata e pandemisë, ku konstatohet raste të shtimit të infektimit të shtetasve me COVID-19,  me qëllim parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID–19, bëjmë me dije qytetarët e Qarkut Tiranë se; Vijon të jetë e ndaluar lëvizja e lirë e qytetarëve jashtë fashës orare. Personat që konstatohen të lëvizin jashtë fashës, ndaj tyre do merren masa në zbatim të Aktit Normativ. Përjashtohen rastet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore apo motive pune”,- njofton Policia.

“Personat që lëvizin për arsye pune apo shëndetësore duhet të pajisen me autorizim në portalin e-Albania. Ju rikujtojmë se është në fuqi ora 22:00 deri në orën 06:00, për baret, restorantet, fast food, lokalet që ofrojnë shërbim për klientët.  Ndalohen grumbullimet më shumë se 10 persona”,- vijon njoftimi.

“Qytetarët apo subjektet që nuk respektojnë masat e marra për parandalimin e përhapjes së infeksionit do të gjobiten në bazë të Aktit Normativ nr. 3 datë 15.03.2020. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve dhe ju bën thirrje që të respektojnë  masat e marra për parandalimin përhapjen e infeksionit, me qëllim mbrojtjen e vetës, familjarëve dhe të afërmve”,- përfundon njoftimi i Policisë së Tiranës.