Gjatë takimit të mbajtur sot nga ana e Komitetit Teknik të Ekspertëve për masat gjatë fundvitit sa i takon kufizimit të përhapjes së COVID-19, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se do të ketë orar kufizues nga ora 20:30 deri në orën 06:00.

Ministrja deklaroi se nga data 24 dhjetor dhe deri në datën 4 janar do të ketë kufizim të lëvizjes nga ora 20: 30 e mbrëmjes deri në orën 6 të mëngjesit.

“Duke qenë se kemi hyrë në një periudhë të festave, bazuar në vlerësimin e riskut që sjellin grumbullimet dhe shtimi i kontakteve, pas kësaj analize të situatës kemi marrë disa vendime. Kemi vendosur kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 20:30 deri në orën 06:00 të mëngjesit, duke filluar nga data 24 Dhjetor deri në datën 4 Janar. Përjashtim nga ky rregull bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme”, tha Manastirliu.

“Personat që lëvizin për arsye pune apo arsye të domosdoshme pajisen me autorizim përmes portalit e-Albania. Prej datës 5 janar kufizimi i lëvizjes rikthehet në orën 22:00, sipas specifikave që tashmë të gjithë i njohim. Po ashtu, kemi marrë vendim: kufizimin e aktivitetit të bareve dhe restoranteve, fast food, lokale, që ofrojnë shërbim për klientët nga ora 20:30 deri në orën 06:00, duke filluar nga data 24 Dhjetor deri në datën 4 Janar, duke përjashtuar shërbimin në banesë, pra atë delivery”, – tha Manastirliu.

Ministrja u shpreh se “prej datës 5 janar kufizimi i aktiviteteve të bareve dhe restoranteve rikthehet në orën 22:00. Po ashtu rekomandojmë të gjithë qytetarët të shmangin udhëtimet jo thelbësore si dhe aktivitetet jo thelbësore”.

“Të gjitha këto masa që kemi marrë, që kemi vendosur së bashku me të gjithë rekomandimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve, do të rivlerësohen në mënyrë dinamike. Pra, nëse do të jetë e nevojshme dhe do të rivlerësohet situata ashtu sikurse është bërë deri më sot, do të merren masa të reja, apo do të rivlerësohen ato ekzistuese. Gjithmonë me synim për mbrojtjen e shëndetit të popullatës”, tha Manastirliu.

“Pas analizës së situatës nga Komiteti i Ekspertëve përsa i përket të dhënave epidemiologjike në përfundim të javës së 51 të epidemisë, nga vlerësimi i kryer mbi baza dinamike në dy javët e fundit rezulton një incidence, raste të reja për 100 mijë banorë 359 raste për 100 mijë banorë. Vlerësohet në 4 javët e fundit që situata ka paraqitur një qëndrueshmëri lidhur me rastet pozitive të infektuara për 100 mijë banorë dhe përqindjen e pozitivitetit të rasteve”, tha ministrja.

Ministrja Manastriliu theksoi se “e kuptojmë fare mirë dëshirën e gjithësecilit, për të qenë me njerëzit e dashur në këto festa. E kuptojmë fare mirë që sidomos në Krishtlindje dhe Vit të ri, duam të gjithë të jemi sa më pranë një atmosfere normaliteti, festive. Por ky ishte një vit i pazakontë dhe ai po mbyllet si i tillë. Një vit i pazakontë që ka kërkuar prej nesh , prej gjithë botës në fakt sakrifica në emër të shëndetit. Sepse, e kam thënë shpesh, për ne, ne listën e vlerave dhe dëshirave, shëndeti qëndron në krye, i padiskutueshmëm. E gjithë bota po merr masa përballë virusit. Këtë po bëjmë dhe ne. Sepse siç e kam thënë, pandemia nuk parandalohet në spitale. Jo. Në spitale mjekët tanë luftojnë pasojat e saj. Pandeminë e lufton sjellja e gjithësecilit prej nesh”.

“Vlejnë për këto festa më shumë se kurrë. Festimi këtë vit duhet të jetë me familjen e ngushtë, gjithmonë duke zbatuar masat rigorozisht. Është një detyrim, mbi të gjitha për të patur mundësinë të festojmë edhe të tjera herë me njerëzit tanë më të dashur. Me qëllim që kur virusi të jetë zhdukur, këto festa të fundvitit të 2020 të mbahen mend thjesht si të pazakonta të kaluara me ta. Por në asnjë mënyrë si festat e fundit, ndaj kërkohet nga të gjithë qytetarët edhe një sakrificë e radhës, për të festuar vetëm në familjen e vogël dhe shpresojmë që me vitin e ri, të kthehemi në normalitetin që secili prej nesh dëshiron”, apeloi ajo.

Manastirliu shtoi se, “nga ana tjetër vlerësohet se përqindja e shtretërve të zënë në spitalet Covid në këtë javë, në dy javët e fundit është 63.7% dhe përqindja e shtretërve të zënë në reanimacione në spitalet Covid është 25.3%. Pra ashtu sikurse e përmendëm, ekspertët vlerësojnë se situata deri sot paraqet qëndrueshmëri, duke vlerësuar kështu edhe impaktin e masave të marra deri tani, të reflektuara sigurisht në këtë situatë. Por kjo situatë ka ende nevojë të vlerësohet në mënyrë dinamike, pasi zbatimi i masave nga të gjithë mbetet thelbësor në kufizimin e përhapjes së këtij virusi”.

“Puna në terren nga të gjitha strukturat e shëndetësisë po vijon. Jemi në gatishmëri të plotë. Do të vijojmë të jemi në gatishmëri të plotë, siç kemi bërë në të gjitha ditët për këto 10 muaj. Përsa i përket punës në terren po vijon testimi, gjurmimi, izolimi i rasteve të dyshuara apo të konfirmuara. Nga sot, ashtu sikurse të gjithë qytetarët janë informuar, ka nisur testimi i shpejtë i cili është shtrirë dhe në 6 pika të qendrave shëndetësore në Tiranë, sipas fashave orare 10:00-16:00, si dhe në të gjitha qytetet sipas një kalendari të përcaktuar”, vijoi ajo.

“Po ashtu edhe në spitalet rajonale, në shërbimet e urgjencave ka filluar përpos testimit klasik, pra me PCR edhe testi i shpejtë i antigenit për rastet që përfshihen në udhëzimin e Instituti të Shëndetit Publik”, tha ministrja.

Ministrja tha se, “ne po punojmë për të patur sa më shpejt vaksinën. Të dhënat e deritanishme tregojnë se vaksina arrin të ketë efekt edhe mbi variantin e ri të virusit. Por deri atëherë, armët që na kanë mbrojtur gjatë gjithë këtyre muajve, vazhdojnë të jenë vendimtare dhe këto janë: distancimi, maska, higjiena dhe kufizimi i kontakteve”.