Zëvendëskryeministri Erion Braçe deklaroi sot se masat e reja kufizuese antiCovid erdhën si pasojë e mosrespektimit të masave nga pronarët e lokaleve. Në reagimin e tij në përgjigje të ankesave të pronarëve të restoranteve, Braçe u shpreh se ata shkelën çdo rregull.

“Po dëgjoj ulërimat e pronarëve të klubeve e restoranteve të Tiranës. Ta kenë të qartë: Mbyllja e orës 20:00 është direkt pasojë e sjelljes së tyre. Shkelën çdo rregull e ligj për të fituar lekë, lekë, lekë. Ju lutem: mjaft! Nuk dëgjuan! E gjitha është pasojë e sjelljes së tyre”, theksoi Braçe në reagimin e tij.

Braçe vijoi se, “ti prekësh orarin e klubin një kapitalisti shqiptar, është si ta vrasësh. Muaj të tërë duke i lutur. Boll me grumbullime të tilla në klube, restorante, hotele. Në tre tavolina hiqe një. Jo vetëm që s’pyetën për këtë, por shtuan tavolina duke i vënë njerëzit kurriz më kurriz. Tani ulërasin për mbylljen në orën 20:00. Pastaj, nuk zgjidh gjë, sepse do i lajmërojnë të vijnë në orën 18:00. Po si ka mundësi që nuk kuptojnë?! Po si ka mundësi që nuk pranojnë thjesht të heqin një tavolinë e të rrinë hapur?! Ka një arsye. Lekë, lekë, lekë, lekë”.