Ditën e sotme u zhvillua testi i dytë i maturës, në të cilin morën pjesë 32 mijë e 126 maturantë. Pas testit të gjuhës së huaj, maturantët iu nënshtruan testit të Gjuhës Shqipe, nën masa të rrepta sigurie për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi. Në Zyrën Arsimore Vendore në Elbasan iu nënshtruan testimit të gjuhës shqipe 1742 maturantë, teksa u mbajt në 22 qendra.
Drejtoresha e ZVA, Elbasan, Anila Çota bën të ditur për Tv Skampa se janë marrë të gjitha masat në përputhje me protokollin anticovid. Nxënësit janë kontrolluar paraprakisht për temperaturë, maska, doreza nga përfaqësuesit e shëndetësisë prezentë në çdo shkollë. Nxënësit kanë ruajtur distancën gjatë hyrjes në qendrat e provimit si dhe në klasa 1,5-2 metra, sipas rregullores së Maturës Shtetërore.
Në çdo qendër, përveç përgjegjësit të administrimit të provimit dhe mësuesve administratorë ka nga 1 përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, MASR. Qendrat mbikqyren nga policia. Testet kanë qenë të paketuara nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe të personalizuara. Në çdo klasë ka 10 maturantë si numër maksimal i nxënësve në klasa. Në datën 15 qershor do të jepet provimi i Matematikës, ndërsa në 18 qershor ai i lëndës me zgjedhje.