Në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” mbërritën mbrëmjen e së hënës, dozat e reja të vaksinës antikovid të siguruara nga marrëveshja e drejtpërdrejtë e qeverisë shqiptare me kompaninë “Pfizer”.

Kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp nga Rinasi deklaroi se, 7020 dozat e vaksinave janë nga kontrata me kompaninë “Pfizer” për të vijuar brenda marsit me të gjitha ato dozat që kemi deklaruar fillimisht, për të vazhduar pastaj më tutje në prill e maj.

Rama tha se për të gjithë qytetarët që e presin me padurim vaksinën, në ndërkohë jemi afër marrëveshjes për një shumë të konsiderueshme vaksinash “AstraZeneca”.

“Ne jemi intensivisht në komunikim për të arritur një marrëveshje me ‘AstraZeneca’ dhe komunikimet janë në disa rrafshe, përveç komunikimit të drejtpërdrejtë me kompanitë, komunikimet zhvillohen edhe me shtetet e tjera”, – u shpreh Rama.

“Sot ne kemi marrë një konfirmim me shkrim nga një shtet mik, për 360 mijë doza të vaksinës ‘AstraZeneca’, që do të fillojnë të lëvrohen në muaj prill. Por po e jap këtë si informacion pa dashur të konfirmoj asgjë, pasi nuk kemi firmosur dhe vulosur marrëveshjen, pasi jemi në një situatë që ndryshon çdo ditë e çdo fjalë mund të duket si propagandë”, – tha Rama

“Konfirmimi është si rezultat i një komunikimi shumë intensiv dhe shpresoj që në ditët në vijim të kemi një komunikim të një niveli më lartë, drejtpërdrejt me qeverinë e atij shteti dhe më pas çdo gjë do të jetë publike. Për momentin është mirë të respektojmë normat e reja nga kjo situatë, ku 90 % e punës bëhet me kode dhe me biseda sekrete”, – u shpreh Rama.

Gjithashtu tha ai gjatë fjalës së tij, jemi duke pritur që sipas kontratës, kompania “Pfizer” të na lejojë që të përmbyllim edhe marrëveshjen me atë shtet tjetër që solli dozat e para që ishin vetëm 1/3 e dozave të premtuara, dhe janë gati dhe ne nuk e negociojmë këtë sasi pa miratimin e “Pfizer”.

“Me ardhjen e këtyre dozave sot dhe me pasjen e një qartësie për ato 40 mijë dozat që janë të konfirmuara, ne do të fillojmë shtrirjen e vaksinimit menjëherë gjatë kësaj jave në Vlorë, Shkodër dhe hap pas hapi në varësi nga kalendari i Ministrisë së Shëndetësisë edhe në zona të tjera në Elbasan në Fier, në varësi të kalendarit dhe paralelisht me vaksinimin e bluzave të bardha, infermierëve, do të bëjmë fillimin e vaksinimit për të moshuarit”- tha Rama.

Kryeministri deklaroi se, “kemi të gjitha arsyet të jemi të bindur që ne mund ta realizojmë vaksimin e plotë për 14 muaj”.

“Është vetëm çështje konfirmimi të sasive dhe disponimit të sasive, por me këtë livrim të kësaj periudhe të parë të Pfizerit, do të injektojmë masivisht vaksinën dhe me shpresë që në javët në vijim do të marrim konfirmime të tjera të rëndësishme nga AstraZeneca në radhë të parë por edhe nga komunikimet që po bëjmë me disa shtete të tjera mike”, theksoi ai.

“Problemi i vaksinës mbetet një problem serioz për të gjithë Europën. Por një gjë dua t’ju them atyre që nguten të japin mend, për një çështje që qartësisht nuk ia kanë idenë. E para kjo nuk është çështje fondesh, ne nuk kemi asnjë problem fondesh. Pra vaksina nuk është me ndonjë treg që pret blerësit të shkojë e ta marrin. Kjo nuk është çështje  vendesh të pasura apo të varfra. Faktikisht ne nuk jemi ndër vendet e pasura, por ne kemi një kontratë dhe po vazhdojmë të marrim vaksinat e Pfizerit”- theksoi Rama.

Kryeministri solli rastin e Presidentit të Serbisë, që shkoj në kufirin e Maqedonisë së Veriut me një kuti vaksinash, me 4 mijë doza Pfizer për t’i dhënë mundësi Maqedonisë së Veriut, që të fillojë atë çka ne e kemi filluar më përpara.

“Ndërkohë që Maqedonia e Veriut nuk ka kontratë me Pfizerin dhe pret një livrim të vaksinës kineze në javët në vijim”- tha ai.

“Ashtu sikundër në ajonin tonë janë edhe disa vende të tjera që nuk e kanë akoma mundësinë të fillojnë vaksinimin dhe nuk kanë në horizont asnjë gjë konkrete për momentin, për fat të keq dhe sigurisht për turpin e më të mëdhenjve dhe më të pasurve, të këtij planeti po themi, që të mos më fusni prap nëpër sherret e padobishme e të pakërkura me BE, që mbetet pika e referimit, që mbetet në një hall të madh në këtë aspekt dhe që tanimë kur të gjithë të tjerët po e thonë e nuk ka më nevojë ta them unë që, duke parë haptazi, jo për të dalë kundër BE, por për të thënë një të vërtetë të hidhur dhe të qartë, që është krejtësisht e padrejtë dhe e pajustifikueshme që popujt e kësaj zone në mes të Europës të rrethuar nga kufijtë e BE, të rrinë të numërojnë se sa vaksina u bënë në Greqi, sa vaksina u bënë në Itali, apo nëpër Europë, ndërkohë që vetë presin që të bëjnë vaksinën e parë, apo siç ishte rasti i Shqipërisë. Me të drejtë duan që të bëjnë më shumë vaksinime apo të shikojnë sesi Serbia bën mijëra e mijëra vaksinime të vaksinës kineze”, u shpreh Rama.