Pas më shumë se 3 muaj i mbyllur, me 15 qershor do të hapet transporti publik, e megjithatë autobusët do të funksionojnë me rregulla të rrepta anti-COVID. Lajmi është konfirmuar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila ka prezantuar edhe 3 rregullat kryesore që duhen zbatuar nga operatorët e transportit publik. Kështu, të gjithë qytetarët dhe personeli i shërbimit do të duhet të jenë të pajisur me maska, e ndërsa edhe pamjet ku autobusët janë të mbushur plot e përplot do i “përkasin të shkuarës”.

Nga 15 qershori, autobusët do të qarkullojnë vetëm me 70% të kapacitetit të lejuar, por është ende e paqartë se si do të veprohet kur në stacion do të ketë më shumë udhëtarë që shkon përtej këtij kapaciteti. Të shumta kanë qenë ankesat jo vetëm të qytetarëve, por edhe të shoqatave për rihapjen e transportit publik, pasi ishte e pamundur që për çdo problem në një familje të mund të paguaje një taksi.

Pak ditë më parë TV Skampa mori mendimin e qytetarëve rreth rihapjes së këtij sektori dhe kërkonin rikthimin në normalitet sa më parë, pasi nuk mund të përballonin dot mjetet e tjera të transportit. Këtë problem më së shumti e kanë vuajtur personat që banonin në periferi, të cilët e kanë pasur të domosdoshëm mjetin për të lëvizur. Gjithsesi, më 15 qershor pritet të rihapet edhe një nga sektorët e fundit që qëndroi i mbyllur për shkak të koronavirusit, edhe pse me masa të rrepta sigurie.