Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se reagimi i shpejtë i qeverisë dhe mbledhja e një shifre rekord kontributesh pas tërmetit, ashtu si paketat e akorduara për rimëkëmbjen gjatë pandemisë, kanë patur ndikim të qartë në vlerësimet që i janë bërë Shqipërisë nga institucione prestigjioze ndërkombëtare.
“Një gjë që ka ndikuar qartë në vlerësimet për Shqipërisë është edhe reagimi i shpejtë i qeverisë dhe mbledhja e një shifre rekord kontributesh pas tërmetit, si dhe vënia në dispozicion për qytetarët dhe bizneset e paketava të rimëkëmbjes gjatë pandemisë”, tha Rama.
Kryeministri shpjegoi se këto të gjitha ishin përfolur e keqpërfolur, por, shtoi ai, janë fakt.
“Shpërndarja transparente e ndihmës ekonomike, duke forcuar mekanizmat e kontrollit dhe aksesin e informacionit se si po përdoren këto para, kanë forcuar aspekte të rëndësishme të demokracisë ne vend”, u shpreh Rama.
Ai vuri në dukje se ndihma ekonomike nuk jepet më si dikur përmes këshillit bashkiak politik.
“Merrnin ndihmë ekonomike anëtarët e këshillit, ku merrnin ndihmë ekonomike anëtarët e partisë që kishin shumicën, apo ata të cilëve u kërkohej votë në këmbim të ndihmës ekonomike”, theksoi Kryeministri.
Rama deklaroi se ndihma ekonomike prej disa vitesh është një sistem dixhital transparent me pikëzim, me gjurmim dhe një objektivitet të lartë në përcaktimin se kush e merr dhe kush jo.