Duke qenë se sot është dita përfundimtare e depozitimit të listave zgjedhore nga të gjitha partitë politike, Balla garantoi qytetarët shqiptarë në emër të PS-së se ne kemi ekipet më të mira në 12 qarqet e vendit.
“Dritarja që ne krijuam është për të përfshirë në listat e PS-së kontribute të reja përmes përfshirjes së profesionistëve me energji të reja dhe nga eksperienca që kanë. Gjej rastin t’i shpreh mirëseardhjen një drejtuese të betejës me COVID-in si Najada Çomos dhe simbolit të rimëkëmbjes dhe rindërtimit, inxhinieres Luljeta Bozos, e cila ka një meritë të veçantë në qartësimin e situatës post tërmet. Këto dy emra dhe emra të tjera që i bëjmë publik sot i bëjnë 12 ekipet e PS-së jo vetëm ekipe fituese, por ekipe ku qytetarët shqiptarë mund të investojnë besimin e tyre”, tha Balla.
Ai theksoi se “PS mbetet e vetmja forcë politike ku mund të investohet besimi për të vijuar transformimin e mëtejshëm”.
“Këto zgjedhje po shkojnë të jenë një referendum se kush është pro Reformës në Drejtësi dhe kush është kundër. Në këtë aspekt, Ilir Meta, Sali Berisha, Monika Kryemadhi dhe Luli pas tyre janë 4 njerëz që bashkë i ka bërë vetëm angazhimi kundër Reformës në Drejtësi dhe ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë në këtë vend. Nuk ka asnjë dyshim, se përbetimet e Ilirit dhe të Saliut kundër Reformës në Drejtësi janë sinjale që i kemi hasur që në vitin 2016, këtu në këtë sallë në 22 korrik është negociuar deri në moment të fundit”, shtoi Balla.
Ai tha se “ne kemi qenë të gatshme të prishim koalicioni me LSI-në vetëm e vetëm që Reformën ta çojmë përpara”.
“Prej asaj dite është prishur koalicioni dhe sigurisht që Basha që u zotua në pranverën e vitit 2017 dhe pastaj gjatë muajve maj-qershor 2017 se do ta çonte LSI-në për skrap. Jo vetëm që skrapin e përfshiu brenda vetes por ne kemi përballë sot një opozitë që vjen para qytetarëve shqiptarë me një ofertë skandaloze, si për sa i përket ekipit, programit, lidershipit, pastaj mos e pyet se nuk besoj se ka një mendje të shëndoshë në këtë vend që mund t’i besoj Lulzim Bashës, një njeri që angazhohet që shqiptarëve do t’ua bëjë ditën natë”, tha ai.
Balla tha se “ne nuk mund të lëmë përgjysmë procesin e vaksinimit, rimëkëmbjen e vendit pas tërmetit”. “Çuarja përpara e këtyre angazhimeve na bën sot më të motivuar edhe për të ripërtërirë forcat tona dhe për të konsoliduar të gjitha kontributet e domosdoshme për të vazhduar më tej reformat”, tha ai.
Po ashtu Balla foli edhe për kontratën e re koncesionare të aeroportit të Rinasit. “Jo vetëm që ja jep administrimin këtij aeroporti një kompanie shqiptare, por më shumë se kaq rregullon disa prej problematikave të kahershme që kishte kontrata e vjetër. Një kontratë e vjetër, e ndryshuar sipas ndërhyrjeve përkatëse të qeverisë Berisha e ku ministër i Transporteve në mos gaboj aso kohe ka qenë edhe Lulzim Basha. 3 gjëra ka rregulluar përfundimisht kjo ndërhyrje: ka ulur tarifat e aeroportit që ishin në dëm të qytetarëve duke çuar direkt në ulje të biletës dhe duke bërë aeroportin shqiptar me të njëjtat tarifa me aeroportet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ajo që kemi garanci të plotë është një investim shumë i madh në infrastrukturën e domosdoshme aeroportuale që do të bëjë të mundur që në aeroportin e Rinasit pas këtij investimi të ulen të gjitha llojet e avionëve, duke rritur kapacitetet e pistës. Ne kemi mundësi të presim edhe fluturime ndërkontinentale që deri tani nuk ka qenë e mundur dhe shqiptarët në kontinentin e Amerikës të Veriut e kanë pasur të pamundur të përfitojnë nga udhëtime direkte”, tha balla.
Ai tha se “vlera e investimit shkon mbi 90 milionë euro dhe është një investim shumë i rëndësishëm”.