Për herë të parë, Ministria e Shëndetësisë ka publikuar mëngjesin e kësaj të premte rezultatet nga testet serologjike. Ministria e Shëndetësisë, në buletinin ditor ka bërë të ditur se deri tani janë testuar 440 persona, staf mjekësor, nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 11.2 përqind e të testuarve, por pa dhënë detaje të tjera. Testit i janë nështruar staf mjekësor dhe pacientë.

“Deri tani janë testuar 440 staf mjekësor dhe pacientë të konfirmuar, me një nivel 11.2 % të pozitivitetit të përgjithshëm. Këto janë rezultate paraprake dhe në ditët në vazhdim pritet të merret një kampion më i madh, kështu që këto rezultate mund të ndryshojnë. Në një fazë të dytë do të zgjerojmë testimin në popullatë për të parë % e saj që e ka kaluar sëmundjen”, njofton Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë, 8 janë rastet e reja të konfirmuara pozitiv me COVID-19 në Shqipëri! Kjo shifër vjen si rezultat e 238 testeve të kryera gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë ku 3 raste janë në Tiranë, 2 në Krujë 1 në Shkodër 1, 1 në Fier 1 dhe 1 në Kamëz . Kur kanë kaluar më shumë se 7 javë që nga konfirmimi i rastit të parë, i quajtur pacienti ‘zero’ në Shqipëri, janë kryer në total mbi 10 mijë teste nga të cilat janë pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 850 persona,  620 prej tyre të shëruar ndërsa 31 kanë humbur betejën me këtë virus. Testimit i janë nënshtruar edhe 18 personel mjekësor te Neurokirurgjia në Fushë- Krujë, duke qenë se dje rezultoi pozitiv një pacient i shtruar në këtë spital, por fatmirësisht bluzat e bardha kanë rezultuar negativë.

Një ulje ka pësuar numri i pacientëve të hospitalizuar , ku mësohet se aktualisht janë të shtruar  në dy spitalet COVID 30 pacientë, nga 38 që ishin dje dhe vetëm 5 prej tyre janë në terapi intensive. Në fund deklaratën, ministria e Shëndetësisë, u bën thirrje qytetarëve që të vijojnë të ndjekin rregullat.

“Nga data 27 Prill, ka filluar zbatimi i strategjisë së ri-hapjes dhe lehtësimit të masave për qytetarët dhe bizneset miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, bazuar në tregues të matshëm.

Lehtësimi i masave do të vijojë nëse do të kemi këtë situatë të qëndrueshme ku përllogaritet mesatarja e rasteve të reja, të shtruarit në spitale dhe pacientët në terapi intensive. Të nderuar qytetarë, pavarësisht situatës inkurajuese, funksionimi i strategjisë së ri-hapjes dhe e lehtësimit të masave do të varet nga ju. Nese ju do të tregoheni të përgjegjshëm duke respektuar distancimin fizik, të kombinuar me masat e higjienës respiratore dhe personale, të mos kryeni vizita tek të afërmit për çdo lloj arsye, bizneset të zbatojnë protokollet strikte, ne do të vazhdojmë me lehtësimin gradual të masave sipas strategjisë së miratuar.

Nëse keni shenja të sëmundjes Covid-19, ju lutem telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për pyetje në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, njofton Ministria e Shëndetësisë.