Në kuadër të vizitës së sotme zyrtare të delegacionit shqiptar në Ankara, Turqi, dhe në vijim të nënshkrimit të Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi dhe homologu i saj turk, Ziya Selçuk, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e arsimit.

Në thelb të kësaj marrëveshjeje është rritja dhe promovimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë e Turqisë në një sërë fushash, duke filluar me nxitjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit dhe botimeve shkencore në fushat e arsimit; si dhe shkëmbimin e akademikëve, ekspertëve të arsimit, mësuesve, studentëve dhe nxënësve.

“Shkëmbimi i përvojave në të gjitha fushat e arsimit, në fushën e teknologjive të reja të aplikuara në arsim apo përvojave në fushën e zhvillimit të kurrikulës; inkurajimi reciprok të pjesëmarrjes së studentëve në konkurset shkencore dhe kulturore të organizuara në të dy vendet; pjesëmarrja e ndërsjellë në seminare, konferenca, studime shkencore etj., apo bashkëpunimi për zhvillimin e programeve të përbashkëta dhe binjakëzimet mes institucioneve arsimore ishin disa prej pikave të tjera të rëndësishme në kuadër të kësaj marrëveshjeje”, tha Kushi.