Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi deklaroi sot se minorenët që janë pjesëmarrës në protestën që po mbahet këto ditë në vend janë të nxitur politikisht, sepse theksoi ajo, minorenët edhe mund të marrin pjesë në protesta, por për çështje që lidhen direkt me ata dhe me të drejtat e tyre.

“Jam e shqetësuar kur shoh minorenë që përfshihen në protesta të dhunshme. Ne e respektojmë protestën, por shqetësimi që kam unë si ministre, qytetare, nënë e grua është që këta fëmijë po nxiten për dhunë dhe kjo ka pasoja të rënda për zhvillimin e tyre. Qëllojnë me gurë, thyejnë xhama, djegin pemë. Janë pamje shqetësuese”, deklaroi ministrja Kushi gjatë një interviste në media.

Këto ngjarje, u shpreh ministrja po hetohen dhe do të zbardhen shumë shpejt.

“Ne kemi indicie, por duhet të vërtetohen hetohet që këta fëmijë janë të nxitur. Nuk mundet një fëmijë në mënyrë të pavarur të dalë e të ushtrojë akte dhune. Është hera e parë në këto 30 vite që përdoren për çështje të tilla”, tha ministrja.

Duke folur për kauzën e protestës, ministrja Kushi tha se efektivi i policisë i cili ka kryer vrasjen e të riut Klodian Rasha është në duart e drejtësisë. Qeveria dhe shteti, nënvizoi Kushi, nuk i ka dalë në mbrojtje, përkundrazi, tha ajo, e ka dorëzuar në organet e drejtësisë dhe do të garantojë një proces të paanshëm dhe të pavarur.

Kushi theksoi më tej se qeveria i vlerëson protestat dhe ky qëndrim, sipas saj është një nga arritjet më të mëdha në 7 vite.

“Kur protestat janë paqësore protestuesit kanë fituar, si rasti i armëve kimike, apo protesta e studentëve e cila rezultoi me reagimin e qeverisë me Paktin e Universitetit, ku studentët morën më tepër edhe sesa kërkuan në protesta”, u shpreh ministrja.

Kushi vuri në dukje se në sistemin tonë arsimor po përfshihen lufta kundër dhunës, bullizmit, drogës, alkoolit dhe fenomeneve sociale.

“Ne kemi shërbim të shtuar psiko-social. Po i mëshohet edukimit me sjellje tolerante kundër dhunës e terrorizmit. Do të dyfishohet numri i punonjësve socialë dhe psikologëve në shkolla”, deklaroi Kushi.

Shkolla, theksoi ajo, ka rol të rëndësishëm. Por, vuri në dukje ministrja, nuk është i vetmi institucion, pasi edhe familja ka një rol të madh.

Ministrja evidentoi edhe rritjen e cilësisë së sistemit arsimor, element ky që sipas saj, është shprehur edhe në raporte, analiza e studime edhe nga institucione ndërkombëtare. Këtu ajo veçoi raportin e Bankës Botërore që e rendit Shqipërinë një ndër vendet me përmirësim në arsim.

“Ky është një tregues, që është rezultat i reformave që janë ndërmarrë vitet e fundit”, përfundoi Kushi. /