ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot marrëveshjen me Kosovën për lejet e qëndrimit.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi u shpreh për mediet, pas mbledhjes së qeverisë se, “sot miratuam një nga marrëveshjet që do të nënshkruajmë ditën e premte në mbledhjen e përbashkët midis qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës. Marrëveshje që ka të bëjë me lejet e qëndrimit të shtetasve respektivë”.

“Është një lajm i mirë për shtetasit e Kosovës që tashmë do të marrin thjesht me një aplikim dhe pa dokumente menjëherë lejen e qëndrimit për 5 vite në Shqipëri dhe brenda lejes së qëndrimit do të jetë edhe leja e punës”, tha Çuçi.

“Dhe është lajm i mirë edhe për shqiptarët që banojnë apo punojnë në Kosovë, të cilët do të marrin leje qëndrimi në Kosovë me procedura shumë më të lehtësuara se ç’janë sot”, u shpreh Çuçi.

“Vendimi i sotëm është në vazhdën e disa marrëveshjeve që do të nënshkruajmë brenda atyre sektorëve që përfshin Ministria e Brendshme”, tha ai.

I pyetur për marrëveshjen me Britaninë e Madhe nëse personat e palëve të treta do të kalojnë pikat doganore siç mund të jetë aeroporti dhe nuk do të dalin jashtë aeroportit dhe a do jetë Shqipëria vend transit për këta emigrantë dhe a do ketë Shqipëria kamp refugjatësh, Çuçi u shpreh se, “besoj se është bërë shumë e qartë, e thënë qartazi që nuk do të ketë kampe refugjatësh për interesa të vendeve të tjera në Shqipëri”

“Kjo është thënë qartë nga kryeministri, është thënë qartë nga ministrja e Jashtme, është thënë qartë nga ministri i Drejtësisë, është thënë qartë edhe nga ministri i Brendshëm”, tha Çuçi.

“Në lidhje me atë përcaktim që ju i referoheni, është e kundërta. Ai është një përcaktim që edhe kur kalojnë transit nuk do të qëndrojnë në Shqipëri, por janë të detyruar vendet e origjinës që të përgjigjen për ata emigrantë apo ata azilkërkues. Pra është e kundërta e asaj që thuhet në media”, theksoi Çuçi. /a.a/