Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme ndërtimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni, në Tragjas, njësia administrative Orikum, Qarku Vlorë, nga shoqëria “SUNPRO”, sh.p.k.

Vendimi u mor në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike” me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sipas vendimit, centrali do të ketë kapacitet të instaluar 3 MW dhe afati i pritshëm i vënies në punë, ku përfshihet koha për marrjen e lejes së ndërtimit, ndërtimin dhe vënien në operim të parkut eolik, do të jetë brenda 36 muajve.

Afati i operimit është 49 vite nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ose Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit.

Sipas vendimit, shoqërisë “SUNPRO”, sh.p.k., i lind e drejta të krijojë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit një shoqëri për qëllime të veçanta, për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit eolik.

E drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe veprave ndihmëse, me kapacitet të instaluar 3 MW, i cili nuk është objekt koncesioni, në Tragjas, njësia administrative Orikum, Qarku Vlorë, e dhënë sipas këtyre rregullave, si dhe më shumë se 10 % e kuotave të shoqërisë për qëllime të veçanta mund të transferohet te një subjekt i tretë, tërësisht ose pjesërisht, vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Shoqëria “SUNPRO”, sh.p.k., ose shoqëria për qëllime të veçanta ka detyrimin që të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore ose institucioneve të tjera të autorizuara informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit eolik; të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare; të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5 % të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “SUNPRO”, sh.p.k., ose shoqërisë për qëllime të veçanta dhe ministrisë.

Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj si dhe t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit.

Po ashtu, shoqëria ka detyrimin të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.

Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “SUNPRO”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.