ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, nëse Bullgaria do të vazhdojë të vërë veton për Maqedoninë e Veriut, në procesin e integrimit evropian edhe 6 mujorin e ardhshëm, atëherë Shqipëria mund të fillojë hapur të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut në këtë proces.
Në konferencën e fundvitit me gazetarët, duke folur për procesin e integrimit evropian, Rama u shpreh se, “në procesin e integrimit evropian gjërat janë të qarta. Jemi në një fazë absurde të bllokimit për shkak të vetos së vënë nga Bullgaria për Maqedoninë e Veriut”.
Rama theksoi se, “në Këshillimin Kombëtar kemi kërkuar një opinion nga qytetarët nëse ata do ta mbështesnin një qasje të re të politikës sonë të jashtme. Që do të thotë, po qe se në fund të presidencës franceze, domethënë, 6 mujorin e parë të vitit të ardhshëm, Bullgaria do të vazhdojë të vërë veton, të fillojmë hapur të kërkojmë ndarjen nga Maqedonia e Veriut në trajtimin dhe vlerësimin tonë”.
Rama e konsideroi këtë vendim “me peshë të rëndësishme të natyrës strategjike”.
“Ndërkohë”, shtoi Rama, “ajo që është e rëndësishme është që pikët tona në vlerësime, përsa i përket këtij procesi rriten dhe 2 komponentë të rëndësishëm në rritjen e pikëve janë, hapat që kanë filluar të hedhë sistemi i ri i drejtësisë, posaçërisht Prokuroria Speciale, e cila ka dhënë shenja të qarta se nuk është një Prokurori e politikës, as e partive, as e të majtës, as e të djathtës, por është një Prokurori Speciale Anti Korrupsion në Republikën e Shqipërisë”, tha Rama.
E dyta, theksoi, Rama, “operacionet anti-krim dhe sidomos ngjitja e në një nivel të ri e operacioneve të përbashkëta, ku një rol të posaçëm ka edhe SPAK-u”.



























