Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka shkaktuar reagime me deklaratat e tij ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni, duke e përjashtuar atë nga një rol i mundshëm ndërmjetësues mes Europës dhe Rusisë.

Duke folur para gazetarëve, Lukashenko tha se një grua nuk është personi i duhur për të ndërmjetësuar me Moskën, ndërsa vlerësoi presidentin francez Emmanuel Macron si figurën më të përshtatshme për të udhëhequr përpjekjet diplomatike mes Evropës, Rusisë dhe Bjellorusisë.

“Në Itali ka një kryeministre grua. Çfarë, doni vërtet t’ia besoni këto detyra një gruaje?”, u shpreh presidenti bjellorus, në komente që pritet të ngjallin polemika në arenën politike evropiane.

Sipas Lukashenkos, gjatë një bisede telefonike me Macronin, ai i ka kërkuar presidentit francez të marrë një rol më aktiv në dialogun me Rusinë dhe Bjellorusinë.

“Ju jeni aksakali, i urti i fshatit. Filloni të lëvizni”, tha ai se i ishte drejtuar kreut të Pallatit Elize.

Presidenti bjellorus e cilësoi Macronin si figurën më me përvojë politike në Evropë, duke argumentuar se liderë të tjerë, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin britanik Keir Starmer, janë ende shumë të rinj politikisht për të marrë një rol të tillë.

Lukashenko tha gjithashtu se Macron mund të zhvillojë një takim të drejtpërdrejtë në Minsk me presidentin rus Vladimir Putin.

“Ejani, uluni dhe flisni hapur, ballë për ballë”,deklaroi ai, duke shtuar se një takim i tillë nuk do të përjashtohej automatikisht nga pala franceze.

Duke komentuar situatën e sigurisë në rajon, Lukashenko mohoi çdo synim për ta përfshirë drejtpërdrejt Bjellorusinë në luftë.

Sipas tij, Macron kishte shprehur shqetësime për mundësinë e një angazhimi ushtarak bjellorus, por ai ishte përgjigjur prerazi: “Nuk kam ndërmend të hyj në luftë. Pse duhet të hyj?”.

Presidenti bjellorus komentoi edhe mbi ushtrimet bërthamore të zhvilluara së fundmi me Rusinë, duke përsëritur se armët bërthamore do të përdoren vetëm në rast të një agresioni të drejtpërdrejtë ndaj Bjellorusisë.

“Armët bërthamore do të përdoren vetëm në një rast: nëse do të kryhet agresion kundër Bjellorusisë. Kaq”, deklaroi ai.

Top Channel