Gjatë ditës së sotme janë regjistruar 164 persona të prekur me COVID-19, 3 persona kanë ndërruar jetë, mes tyre mësuesi 47-vjeçar nga Pogradeci pa asnjë sëmundje bashkëshoqëruese pas 12 ditësh në terapi intensive në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ndërsa kanë fituar betejën 51 të tjerë.

Pas 872 testimeve të kryera, shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është 56 raste në Tiranë, 11 raste në Shkodër, nga 10 raste në Durrës, Korçë, Lushnje, 8 raste në Kurbin, nga 7 raste në Krujë, Fier, Kavajë, 6 raste në Lezhë, 5 raste në Elbasan, Vlorë, 4 raste në Gramsh, 3 raste në Kukës, Mat, Gjirokastër, 2 raste në Berat, Kamëz,  nga 1 rast në Has, Pogradec, Ura Vajgurore, Vau i Dejës, Bulqizë.

Në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” nuk është rritur shifra e pacientëve që po trajtohen me COVID, janë po 174 pacientë, 21 në terapi intensive nga të cilët 7 janë të intubuar. Përveç mesuesit nga Pogradeci, edhe një 78-vjeçar nga Fieri dhe një 87-vjeçar nga Gramshi kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve dhe infermierëve.

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë këshilla dhe udhëzime për të gjithë prindërit që do të dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë ditën e hënë, më 14 shtator 2020.

“Në prag të vitit të ri shkollor, ka një apel për mësuesit, prindërit, nxënësit; të respektojnë me rigorozitet masat për mbrojtjen ndaj COVID19 me qëllim parandalimin e përhapjes së këtij virusi.  Normaliteti i ri, i cili na kushtëzon të jemi të kujdesshëm në përditshmëri për ruajtjen e distancimit fizik, mbajtjen e maskave ose barrierave mbrojtëse në ambientet e mbyllura dhe kujdesin e shtuar për higjienën personale.  Prindër, kontaktoni me mjekun e familjes. Sinjalizojeni atë nëse ka diçka që shihni se nuk shkon te fëmija juaj. Matini çdo ditë temperaturën fëmijës para se të niset për në shkollë dhe pyetini nëse kanë ndonjë shqetësim. Mësues, tregohuni vigjilentë ndaj zbatimit të masave të rekomanduara nga ekspertët në ambientet e shkollës. Për çdo shqetësim, duhet të kontaktoni koordinatorin e shkollës, i cili sinjalizon menjëherë strukturat shëndetësore. Nxënës, nëse gjatë qëndrimit në shkollë, vini re tek vetja, simptoma të COVID19, lajmëroni menjëherë mësuesin kujdestar“, thotë Ministria e Shëndetësisë.