ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ka firmosur 15 procedura për konfiskimin e ndërtimeve, ku për qëllime fitimi janë tejkaluar kufijtë ligjorë të lejeve, ose në disa raste është ndërtuar komplet pa leje fare.

Në një videomesazh në rrjetet sociale, Rama theksoi se “ndërtimet e konfiskuara do të përdoren për interes publik. Hapësirat e marra do t’i kalojnë shtetit, që sipas rastit do t’i shfrytëzojë për mjedise zyrash për administratën, për strehim social ose shërbime sociale”.

“Ky operacion ligjzbatimi, i cili ka vazhduar përtej Tiranës, në një fushë ku e dini shumë mirë, të gjithë ka pasur shumë probleme në 30 vjet, dhe ku kemi ardhur duke ngushtuar rrethin e shkeljeve, përbën edhe kapakun e kësaj historie, pasi s’besoj se do gjenden më të atillë të marrë që t’i hyjnë një aventure me fund të paralajmëruar”, tha Rama.

Kreu i ekzekutivit u shpreh se “kur e nisëm çfarë nuk dëgjuam dhe me çfarë nuk u helmua opinioni publik! “Është thjesht show për të larguar vëmendjen”! Ja që nuk ishte e vërtetë. “Është pazar me oligarkët për t’ua kthyer mbrapsht të legalizuara metrat e katet pa leje”! Ja që as kjo s’ishte e vërtetë. “Është amnisti për t’i shpëtuar nga ndëshkimi ligjor”! Gënjeshtër e madhe edhe kjo, sepse qeveria nuk e ka fuqinë ligjore të amnistojë askënd dhe edhe po të dojë madje dhe konfiskimet nuk i japin askujt imunitet nga drejtësia”.

Rama tha se “e vërteta është që për të gjitha këto, letrat kanë kohë që flenë nëpër prokuroritë e rretheve”.

“Fatkeqësisht jetojmë në një kohë ultësie morale e tretjeje të normave etike, ku pasqyrat e informimit janë shëmbëlltyrat më ulëritëse të dezinformimit dhe ku gjysmë të vërtetat, të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, mbushin pa pushim kanalet e komunikimit. Gjithsesi, unë do të vazhdoj të them atë që bëj dhe të bëj atë që them, deri në fund”, theksoi Rama.

/k.s/