/ATSH-Maela Marini/ Mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, të Shqipërisë dhe të Kosovës do të zhvillohet në vendin tonë, në 26 nëntor.

Kjo do të jetë mbledhja e 7-të e përbashkët mes dy qeverive, ku pritet të nënshkruhen edhe disa marrëveshje të rëndësishme.

Një prej tyre është marrëveshja e prezantuar sot nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj për “Njohjen e periudhave të sigurimeve shoqërore”.

Edhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi u shpreh për mediet, pas mbledhjes së qeverisë se    “sot miratuam një nga marrëveshjet që do të nënshkruajmë ditën e premte në mbledhjen e përbashkët midis qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës. Marrëveshje që ka të bëjë me lejet e qëndrimit të shtetasve respektivë”.

Më herët, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka konfirmuar se në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive “do të bëhet një rikalim i të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri tani, përgjatë gjithë cikleve të mbledhjeve ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës”.

Sipas Xhaçkës, “bëhet fjalë për 86 marrëveshje të lidhura përgjatë gjithë kësaj periudhe”.

“Qëllimi është që të çojmë përpara këtë proces duke i dhënë një shtysë të re të gjitha atyre marrëveshjeve, të cilat për arsye të ndryshme objektive ose jo, nuk janë zbatuar, ashtu siç do duhet të kishte qenë. Dhe patjetër për të identifikuar fusha të reja, ku bashkëpunimi ynë mund të zgjerohet dhe të thellohet”, deklaroi më herët Xhaçka.

Në mbledhjen e dy qeverive marrëveshjet të cilat do të firmosen, do të prekin fusha si ekonomia, bashkëpunimi diplomatik dhe konsullor, arsimi, drejtësia, shkenca apo kultura. /a.a/