Aksidentet rrugore me pasojë vdekjen, të ndodhur kryesisht në ditët e para të vitit të ri, kanë detyruar Policinë Rrugore që të dal me një plan të përpiluar të masave, për të shmangur përplasjet dhe ndëshkuar të gjithë ata drejtues mjetesh që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Në monitorim të policisë janë kryesisht disa prej akseve ku ditët e fundit ka patur aksidente, dhe rrugë që janë të njohura tradicionalisht si problematike.

Përmes një plani të posaçëm masash, për monitorimin e qarkullimit rrugor në rrugët urbane, interurbane dhe akset kryesore rurale që lidhin qendrat administrative me rrugët urbane, janë vendosur edhe radar për monitorimin e shpejtësisë. Ky plan masash konsiston në përdorimin e bazës logjistike si radarë, kamera, dragera dhe tableta, me qëllimin e vetëm parandalimin e aksidenteve rrugore.

Gjatë 6 ditëve të para të këtij viti në të gjithë vendin janë arrestuar 22 drejtues mjetesh, 12 prej tyre për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 10 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Janë pezulluar 112 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 41 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit. Në fokus janë edhe të gjithë drejtuesit e mjeteve që lëvizin pa rrip sigurimi apo përdorim celulari. Janë vendosur 435 masa administrative për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 393 për përdorim celulari, 737 për parakalime të gabuara, 145 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 36 për kontroll teknik, 35 për shkelje të semaforit, 956 për parkime të gabuara, si dhe 553 për shkelje të tjera të ndryshme.

Plani masave i nisur këtë fillim viti, parashikohet të shpërndahet në kohë, të paktën deri në qetësimin e situatës së motit. Në ditët e para të janarit, për shkak të aksidenteve kanë humbur jetën disa persona, me shkak kryesor shpejtësinë e mjeteve.

ARRESTIME

22 drejtues mjetesh

12 prej tyre për drejtim mjeti në gjendje të dehur

10 për drejtim mjeti pa leje drejtimi

PEZULLIME

112 leje drejtimi të pezulluara për shpejtësi tej normave

41 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit

GJOBAT

435 masa administrative për mosvendosjen e rripit të sigurimit

393 për përdorim celulari

737 për parakalime të gabuara

145 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse

36 për kontroll teknik

35 për shkelje të semaforit

956 për parkime të gabuara

553 për shkelje të tjera të ndryshme