ATSH/ -Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare qytetarët pritet që të votojnë për deputetët me lista të hapura dhe pa koalicione parazgjedhore.

Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve miratuan sot me konsensus mazhorancë-opozitë ndryshimet në Kushtetutë, të cilat parashikojnë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, partitë do të shkojnë para votuesve me lista të hapura të deputetëve dhe pa koalicione parazgjedhore.

Drafti me propozimet e opozitës parlamentare u miratua sot nen për nen dhe tashmë do të kalojë në seancën plenare të Kuvendit, ku për ndryshimet Kushtetuese duhen 94 vota.

Në drejtimin e Nënkryetares së Kuvendit, Vasilika Hysi, u zhvillua sot mbledhja e përbashkët e Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ku pas miratimit të procesverbaleve të mbledhjeve të mëparshme, u diskutua nen për nen projektligji për një ndryshim në ligjin Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, nismë e 28 deputetëve të opozitës parlamentare.

Të pranishëm në mbledhje ishin dhe 4 ekspertët konstitucionalistë: Elira Kokona, Ilir Rusmaijli, Erind Mërkuri dhe Adea Pirdeni.

Relatorja nga mazhoranca për ndryshimet kushtetuese, Klotilda Bushka u shpreh se lista të hapura dhe koalicione parazgjedhore janë të pamundura së bashku.

“Listat e hapura dhe koalicionet parazgjedhore nuk shkojnë dot bashkë. Në Kushtetutë nuk kemi pse shkruajmë që ndalohen koalicionet. Kjo vetëkuptohet, kur themi që kandidatët i propozon vetëm partia dhe zgjedhësit. Në Kushtetutë ruajmë vetëm parimet, në Kodin Zgjedhor saktësojmë detajet. Nivelin se sa do të jetë përqindja e pragut kombëtar do të lëmë ta saktësojmë në Kodin Zgjedhor”, tha ajo.

Opozita parlamentare ka kërkuar garanci për pragun zgjedhor për sistemin proporcional rajonal.

Deputeti Myslim Murrizi tha se, “do të donim të merrnim nga mazhoranca garancinë që prag kombëtar me këtë sistem do të jetë pragu natyral i çdo qarku, ç’ka do të thotë askush nuk privohet nga mandati i drejtpërdrejtë. Prag kombëtar pa prag, pa shifër është evaziv, nul me këtë sistem. Nuk është nevoja ta sanksionojmë në Kushtetutë, por mazhoranca të garantojë që pragu kombëtar do të jetë pragu natyral i çdo qarku”.

Ndërsa, Rudina Hajdari tha se, “ky formulim, siç është shkruar jep garanci që listat mund të jenë 100% të hapura. Dhe kjo është çfarë duam të garantojmë. Më pas partitë vendosin brenda vetes se sa të hapura do jetë lista e tyre”.

Me votat e të gjithë anëtarëve të Komisionit të Ligjeve u miratuan dy nenet 1 dhe 2 që ndryshojnë nenet 64 dhe 68 që kanë të bëjnë me hapjen e listave dhe me pragun zgjedhor.

Në fund, Hysi tha se, “sipas ligjit në përfundim të shqyrtimit nga Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i paraqet seancës plenare raportin përkatës të hartuar nga relatorët, i cili përmban edhe mendimin e pakicës. Duke pasur parasysh, kalendarin e miratuar, besoj se brenda ditës së sotme ne duhet të kemi depozituar pranë kryetarit të Kuvendit, i cili do t’i dërgohet seancës së Kuvendit”.

Në amendimet e Kushtetutës është vendosur për herë të parë se me sistemin proporcional me konkurrim rajonal do të ketë prag kombëtar, por niveli do të vendoset në Kodin Zgjedhor. Pra me listat e hapura do të ketë vetëm një prag se nuk ka më koalicione. Por dy palët në Kuvend, shumica dhe opozita ranë dakord që nuk do të ndërhyhet për ta përcaktuar në Kushtetutë se sa do të jetë pragu. /a.a/