Shqiptarët mund të lëvizin drejt Serbisë vetëm me kartë ID dhe po ashtu serbët drejt Shqipërisë. Këtë parashikon marrëveshja që u nënshkrua këtë të hënë mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, gjatë takimit online për Shengenin Ballkanik, në prani edhe të kryeministrit maqedonas Zoran Zaev.

“Është një hap i rëndësishëm që shqiptarët të kenë lëvizje të lirë me vendet e Ballkanit, përfshirë Serbinë ku mund të udhëtojmë lirshëm pa dokumente. Është një hap pozitiv, siç është dhe memorandumi për të ndarë informacion, eksperiencë dhe ndihmë kur të jetë e nevojshme për COVID-19. Jam i lumtur që nesër me Samitin e Ballkanit nis një faqe e re bashkëpunimi me Kosovën që bashkohet në tavolinë”, u shpreh kryeministri Rama.

Po kaq të rëndësishme e ka quajtur këtë marrëveshje dhe presidenti serb Vuçiç.

“Ne jemi kombe të vegjël, të cilët zakonisht janë ndikuar shumë nga forca të ndryshme që kanë dashur të ndjekin interesat e tyre gjatë gjithë historisë.  Sot, kjo nuk ka ndryshuar shumë, por është e rëndësishme që, duke u kujdesur për veten, të përpiqemi të ruajmë pavarësinë tonë dhe të marrim vendimet tona. Dhe me kë do të marrim vendime nëse jo me ata që janë më afër nesh. Kjo thellon besimin dhe marrëdhëniet e mira midis Tiranës, Shkupit dhe Beogradit”, tha presidenti serb.

Takimi online u mirëprit nga Maqedonia e Veriut dhe u nënshkrua një tjetër marrëveshje, Memorandum i Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit midis Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për bashkëpunim në luftën kundër COVID-19.