Konferenca e sotme vjen pas një serie takimesh ndërqeveritare që kanë shënuar progres gradual të Shqipërisë në hapjen e kapitujve të negociatave me BE-në në një kohë rekord prej 13 muajsh.

Procesi nisi zyrtarisht më 19 korrik 2022 me Konferencën e parë Ndërqeveritare BE-Shqipëri në Bruksel, ku Bashkimi Evropian hapi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.

Në atë konferencë, BE-ja vlerësoi angazhimin e Shqipërisë për reformat dhe harmonizimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, ndërsa u hap rruga për procesin e “screening”-ut të acquis communautaire.

Një etapë vendimtare u shënua më 15 tetor 2024, gjatë Konferencës së dytë Ndërqeveritare në Luksemburg, ku u hap Grupkapitulli 1 “Themeloret”. Ky grupkapitull përfshin funksionimin e institucioneve demokratike, reformën në administratën publike, kriteret ekonomike dhe kapitujt:

Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore

Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria

Kapitulli 5 – Prokurimi publik

Kapitulli 18 – Statistikat

Kapitulli 32 – Kontrolli financiar

Në këtë konferencë, BE-ja vendosi piketat e ndërmjetme për kapitujt 23 dhe 24, duke i konsideruar ato kyçe për ritmin e përgjithshëm të negociatave.

Më 17 dhjetor 2024 u zhvillua Konferenca e tretë Ndërqeveritare në Bruksel, ku Shqipëria hapi negociatat për Grupkapitullin 6 “Marrëdhëniet e Jashtme”, që përfshin:

Kapitullin 30 – Marrëdhëniet e jashtme

Kapitullin 31 – Politika e jashtme, e sigurisë dhe mbrojtjes

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm erdhi më 14 prill 2025 në Luksemburg, gjatë Konferencës së katërt Ndërqeveritare, ku u hap Grupkapitulli 2 “Tregu i Brendshëm”.

Ky grupkapitull përfshin nëntë kapituj:

Kapitulli 1 – Lëvizja e lirë e mallrave

Kapitulli 2 – Lëvizja e lirë e punëtorëve

Kapitulli 3 – E drejta e vendosjes dhe ofrimit të shërbimeve

Kapitulli 4 – Lëvizja e lirë e kapitalit

Kapitulli 6 – E drejta e kompanive

Kapitulli 7 – Pronësia intelektuale

Kapitulli 8 – Politika e konkurrencës

Kapitulli 9 – Shërbimet financiare

Kapitulli 28 – Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit

Më pas, në Konferencën e pestë Ndërqeveritare, më 22 maj 2025, BE-ja hapi negociatat për Grupkapitullin 3 “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”, ku përfshihen:

Kapitulli 10 – Transformimi digjital dhe media

Kapitulli 16 – Tatimet

Kapitulli 17 – Politika ekonomike dhe monetare

Kapitulli 19 – Politika sociale dhe punësimi

Kapitulli 20 – Politika e ndërmarrjeve dhe industriale

Kapitulli 25 – Shkenca dhe kërkimi

Kapitulli 26 – Arsimi dhe kultura

Kapitulli 29 – Bashkimi doganor

Më 16 shtator 2025 u zhvillua Konferenca e gjashtë Ndërqeveritare, ku u hap Grupkapitulli 4 “Agjenda e gjelbër dhe ndërlidhja e qëndrueshme”, që përfshin:

Kapitullin 14 – Politika e transportit

Kapitullin 15 – Energjia

Kapitullin 21 – Rrjetet transevropiane

Kapitullin 27 – Mjedisi dhe ndryshimet klimatike

Ndërsa më 17 nëntor 2025 u mbajt Konferenca e shtatë Ndërqeveritare, ku u hap edhe grupkapitulli i fundit negociues, Grupkapitulli 5 “Burimet, bujqësia dhe kohezioni”, me kapitujt:

Kapitulli 11 – Bujqësia dhe zhvillimi rural

Kapitulli 12 – Siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare

Kapitulli 13 – Peshkimi dhe akuakultura

Kapitulli 22 – Politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore

Kapitulli 33 – Dispozitat financiare dhe buxhetore

Me hapjen e të gjashtë grupkapitujve, Shqipëria ka hyrë tashmë në fazën e thellimit të negociatave dhe përmbushjes së piketave për mbylljen e kapitujve.

Konferenca e 8-të Ndërqeveritare që mbahet sot pritet të konfirmojë përmbushjen e piketave të ndërmjetme për Grupkapitullin 1 “Themeloret” dhe të përcaktojë piketat përfundimtare për kapitujt që lidhen me sundimin e ligjit, drejtësinë, administratën publike dhe kriteret ekonomike.

Sipas metodologjisë së rishikuar të zgjerimit të BE-së, progresi në Grupkapitullin “Themeloret” mbetet përcaktues për ritmin e përgjithshëm të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

/gj.m/a.f/r.e/