Të shtënat me armë zjarri mbi një automjet në Fushë Krujë kanë shkaktuar një të plagosur me armë dhe një të dëmtuar pas daljes së mjetit nga rruga.

Të plagosurit janë persona të njohur për policinë, veçanërisht i plagosuri me armë zjarri, një nga personat e hetuar për  vrasjen e komisarit Dritan Lamaj.

Policia e qarkut Durrës njoftoi se rreth orës 18:00, në Spitalin Ushtarak, janë paraqitur për ndihmë mjekësore, shtetasit Gentian Bejtja, rreth 41 vjeç, i cili në rrethana ende të paqarta dyshohet se është plagosur me armë zjarri në krah, gjatë kohës që po drejtonte automjetin dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, si dhe

Klodian Stafuka, rreth 31 vjeç, i cili është lënduar në një aksident rrugor në Nikël. Ngjarja ka ndodhur afër një karburanti. Pas plagosjes në krah, mjeti që drejtohej nga Bejtja dhe ku K. Stafuka ishte pasagjer, ka dalë nga rruga.

Menjëherë shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Sipas burimeve policore, Bejtja ka deklaruar se nuk i ka parë personat kanë qëlluar mbi të dhe për shkak të errësirës. Së bashku me Enver Stafukën, person që u rrëmbye dhe rezulton i zhdukur, G. Bejtja u arrestuar i akuzuar për vjedhjen e automjetit që u dyshua se u përdor për vrasjen e Lamajt. Mjeti u vodh pranë një pastiçeri në një nga rrugët më të populluara të Durrësit, ”Aleksandër Goga”, pranë drejtorisë së policisë.

Në shtator 2016, Bejtja i shpëtoi një shpërthimi me lëndë eksplozive në mjetin e tij ku mbeti i plagosur.

Së bashku me Enver Stafukën, Bejtja mori pafajësinë nga Gjykata e Durrësit, për mungesë provash si autorë të vjedhjes së mjetit të përdorur në vrasjen e komisarit në Tiranë në vitin 2013.

15 muaj pas këtij vendimi të Gjykatës dhe 2 vjet pas vrasjes së Lamajt, në shkurt të 2015-s, Stafuka u rrëmbye nga persona të paidentifikuar dhe ngjarja mbeti e pazbardhur

Top Channel