ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, zhvilloi sot një takim me udhëheqësit e komuniteteve fetare, me rastin e Ditës Botërore të Tolerancës.
Në takim ishin të pranishëm Bujar Spahiu, kryetar i Komunitetit Mysliman; Monsinjor George Frendo, Arqipeshkv i Tiranës-Durrësit dhe Primat i Kishës Katolike në Shqipëri; Fortlumturia e Tij Anastas Janullatos, Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë; Haxhi Baba Edmond Brahimaj, Kryegjysh i Bektashive dhe Sufive në Tiranë dhe Ballkan; Pastor Ylli Doçi, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare.
Pasi u uroi mirëserdhjen në Kuvendin e Shqipërisë personaliteteve të larta fetare, Nikolla vlerësoi lart rolin e tyre si udhëheqës fetarë, për orientimin e institucioneve, besimeve e komuniteteve fetare drejt vlerave të bashkëjetesës, humanizmit, harmonisë e tolerancës.
Kryetarja e Kuvendit shprehu gjithashtu mirënjohjen ndaj komuniteteve fetare, të cilët, pavarësisht dallimeve të natyrshme midis besimeve, në momentet kyçe të historisë kombëtare kanë qenë një faktor bashkimi e progresi. Historia tragjike e fesë në vendin tonë, goditja prej regjimit komunist, nuk dëmtoi aspak tiparin më të rëndësishëm të besimeve në Shqipëri: tolerancën. Përkundrazi, toleranca fetare ka qenë dhe mbetet një rregullator i rëndësishëm i marrëdhënieve fetare në Shqipëri.
“Kisha jote është dhe kisha ime” është një thënie bashkëkohore që dëshmon tolerancën ndërfetare në kohën e sotme. Kjo është domethënëse në Shqipëri, ku besimtarët festojnë bashkërisht festat e njëri-tjetrit, madje ushtrojnë edhe ritet e njëri-tjetrit. Ne, politikanët, duhet të mësojmë shumë nga toleranca fetare. Prandaj, një ndër risitë që po sjell në Kuvendin e Shqipërisë gjatë kësaj legjislature, është krijimi i një fryme të re tolerance, dialogu dhe klime pozitive midis kundërshtarëve politikë”, vuri në dukje kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
Nikolla i falënderoi udhëheqësit fetarë edhe për kontributin në përballimin, në fillim të pasojave të tërmetit, dhe pastaj edhe të pasojave të pandemisë së Covid-19. Shërbimet e përfaqësuesve të të gjitha besimeve fetare për të mbrojtur jetën njerëzore gjatë pandemisë, sidomos gjatë kushteve të izolimit, ishin një burim shprese dhe optimizmi.
Ky shërbim është i dobishëm edhe sot, sidomos për të dobësuar rezistencën e brezit të ri ndaj vaksinimit, i cili mbetet rruga kryesore e shpëtimit të jetëve njerëzore.
Udhëheqësit fetarë e falënderuan kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, për takimin dhe shprehën angazhimin e tyre për të kontribuar në forcimin e tolerancës, harmonisë dhe vlerave qytetare në marrëdhëniet shoqërore e më gjerë. /j.p/