Një grup studiuesish nga Fakulteti i Shëndetit dhe Shkencave Mjekësore në Universitetin e Kopenhagës po përpiqen të kuptojnë se si qelizat riparojnë ose anashkalojnë lezione të shkaktuara nga kimioterapia, duke shpresuar të sigurojnë metoda të reja për të frenuar këto procese riparimi dhe për ta bërë kimioterapinë më efikase, sipas faqes shkencore ONB.

Kimioterapia sulmon të gjitha qelizat në trupin tonë dhe jo vetëm ato kancerogjene, prandaj pacientët që i nënshtrohen trajtimit shpesh përjetojnë efekte anësore, të tilla si dobësi fizike, rënie e flokëve dhe të përziera.

Sidoqoftë, qelizat kancerogjene mund të gjejnë mënyra për t’i shpëtuar kimioterapisë.

Kur sulmohen nga kimioterapia, qelizat, përfshirë ato të kancerit, përpiqen të riparojnë ose të punojnë përreth dëmtimit.

“Kemi gjetur prova të forta se proteina RFËD3 është përgjegjëse për orkestrimin e riparimit të lezioneve të ndryshme të ADN-së të shkaktuara nga kimioterapia”, thanë shkencëtarët.

“Nëse mund ta frenojmë këtë proteinë, ne mund të parandalojmë që qelizat të tolerojnë dëmtimet e ADN-së, gjë që mund të çojë në një kimioterapi më efikase në të ardhmen”.

Rezultatet, të botuara në “Molecular Cell”, përfaqësojnë kulmin e tre viteve kërkim, gjatë të cilëve grupi i shkencëtarëve vëzhgoi se mungesa e proteinave çon në një defekt të thellë në rekrutimin e përbërësve të nevojshëm për të riparuar dhe toleruar dëmin.